Kreu i AAK-së gjatë vizitës zyrtare ditën e sotme në Shqipëri ka zhvilluar takime edhe me krerët e opozitës.
Ai është takuar me kryetarin e komanduar të PD Enkelejd Alibeajn dhe me grupin parlamentar të PD. Lajmin e bën me dije vetë Alibeaj përmes një postimi në rrjete sociale, ku shkruan se biseda e kishte fokusin te axhenda e përbashkët për të çuar në njohjen finale të pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet.
“Kënaqësi të mirëprisnim në një takim vëllazëror kolegët e grupit parlamentar të Partisë për Ardhmërinë e Kosovës, kryesuar nga kryetari Ramush Haradinaj. Në bisedën e përfaqësuesve të dy grupeve tona u vlerësua bashkëpunimi miqësor mes dy parlamenteve dhe veçanërisht marrëdhëniet e ngushta mes grupit të PD dhe AAK. Ndamë së bashku nevojën e forcimit të këtyre marrëdhënieve si dhe fokusimin e gjithë axhendës së përbashkët për të çuar në njohjen finale të pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet. Gjithashtu në bisedë u vu theksi tek nevoja e përbashkët për të ruajtur qartësisht rrugën e integrimit euroatlantik të Shqipërisë dhe Kosovës”, shkruan Albieaj.
Ajo që vihet re është se takimet zyrtare PD nuk i zhvillon në selinë blu por në ambientet e Kuvendit.
Lexo edhe: Shkrihen “akujt” pas padisë për shpifje, Rama pret në takim Haradinajn: Miqësorë dhe të qeshur
Një takim Haradainaj ka zhvilluar edhe me kryetaren e LSI Monika Kryemadhi. Kjo e fundit bën me dije detaje nga takimi përmes një postimi në rrjete sociale.
“Takim mjaft i ngrohtë dhe vëllazëror me delegacionin parlamentar të Ardhmërisë Kombëtare të Kosovës, kryesuar nga kryetari Ramush Haradinaj. Njohja reciproke e shtetit të Kosovës nga Serbia dhe mbështetja e pakursyer ndaj Kosovës për anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare dhe rrugën e integrimit Europian duhet të jenë kryeçështje të politikës së jashtme të Shqipërisë. Nisma me karakter individual, si projekti jo transparent i Open Balkan që garanton supremacinë e interesave të Serbisë mbi rajonin, nuk duhet të promohen, përkundrazi është i nevojshëm bashkimi dhe unifikimi i faktorit shqiptar në rajon. Mbetemi të angazhuar për bashkëpunimin intensiv me faktorin politik në Kosovë për të çuar përpara zhvillimin ekonomik, forcimin e bashkëpunimit mes njëri tjetrit dhe ecurinë e shpejte e te suksesshme te integrimit euroatlantik te saj”, shkruan Kryemadhi.
/abcnews.al