Sanksionet e reja po vendosen nga perëndimorët ndaj Rusisë pas pamjeve të mizorive në Bucha të Kievit, ku qindra kufoma shihen të shtrirë në rrugë, të cilat kanë bërë xhiron e botës.
Sipas Financial Times, bisedimet për raundin e pestë të sanksioneve të ashpra kundër Moskës mund të zhvillohen të mërkurën e ardhshme. Ato synojnë të dëmtojnë ekonominë ruse dhe elitën e qeverisë pas akuzave nga autoritetet ukrainase dhe OJQ-të për sulme të tmerrshme ndaj civilëve të paarmatosur në zonat afër Kievit që janë rimarrë nga forcat ukrainase.
Fotografitë e publikuara të qytetit tregojnë dhjetëra kufoma të shpërndara nëpër rrugë, të gjitha të veshura me rroba civile. Gjithsej rreth 300 civilë kanë humbur jetën që nga fillimi i sulmeve muajin e kaluar. Edhe pse Bocha u çlirua nga forcat ruse, ajo ka pësuar dëme të mëdha nga luftimet. Zëvendësministrja e Jashtme e Ukrainës, Emine Zepar, shkroi më herët në rrjetet sociale se “shumë civilë u vranë nga të shtënat me armë”.
Akuzat për krime lufte ruse dhe thirrjet për më shumë ndihmë ushtarake perëndimore ndaj Ukrainës janë intensifikuar që kur Moska filloi tërheqjen e trupave nga periferitë e kryeqytetit ukrainas javën e kaluar, duke e zhvendosur fokusin e luftës në lindje të vendit.
Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel shkroi në Tëitter duke dënuar sulmet ruse ndaj civilëve, duke thënë se ai ishte “i tronditur nga imazhet e mizorive të kryera nga ushtria ruse në zonën e çliruar të Kievit, Bucha”. BE po ndihmon Ukrainën dhe OJQ-të në mbledhjen e provave të nevojshme për të ndjekur penalisht në gjykatat ndërkombëtare,” shtoi Charles Michel. /abcnews.al