Administrata amerikane ka vendosur sanksione të reja ndaj Iranit, duke goditur këtë herë një rrjet individësh dhe kompanish, përgjegjës për transferta ilegale parash për të mbështetur trupat ushtarake elitë të Republikës Islamike.
Shtetet e Bashkuara vendosën të martën sanksione të reja në dëm të Iranit, duke vepruar ndaj një rrjeti kompanish dhe individësh në Iran, Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Subjektet në fjalë konsiderohen përgjegjës për transferimin e miliarda dollarëve dhe eurove në mbështetje të Gardës Revolucionare Iraniane.
Departamenti amerikan i Thesarit ka deklaruar se, në tërësi ka futur në listën e zezë 25 persona dhe ente, përfshirë këtu kompani që shërbenin si mbulim dhe me bazë në të tre vendet. Institucionet e sanksionuara, të lidhura me Gardën dhe Ministrinë iraniane të Mbrojtjes, përfshijnë banka dhe grupe të tjera financiare mes të cilave Ansar Benk, Atlas Iksçejnxh dhe Iranian Atlas Kompani.
“Po vëmë në shënjestër një rrjet të gjerë kompanish fiktive dhe një numër individësh për të çrrënjosur një skemë që regjimi iranian e ka përdorur për të lëvizur në mënyrë ilegale mbi 1 miliard dollarë”, ka deklaruar sekretari i Thesarit, Stiven Mnushin.
Sanksionet synojnë të bllokojnë kompanitë e sipërpërmendura dhe t’i mbajnë ato jashtë sistemit financiar global, duke ndaluar njëkohësisht shtetas dhe biznese amerikane, si dhe banka ndërkombëtare me filiale në Amerikë, që të bëjnë biznes me to./abcnews.al