Rusia ka deklaruar se nuk do të ndërpresë menjëherë furnizimin me gaz për “vendet jomiqësore” sipas një dekreti të ri që kërkon që pagesa të bëhet në rubla duke filluar nga 1 prilli, sipas CNN.
Sipas dekretit të ri të publikuar ditën e djeshme, Gazprombank do të hapë llogari në emër të blerësve perëndimorë të gazit, do të konvertojë eurot ose dollarët dhe më pas do të depozitojë pagesën në rubla në një llogari tjetër, e cila më pas do të përdoret për të paguar Gazprom.
Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se Berlini do të bëjë pagesat për gazin rus vetëm në euro.
“Ne i kemi parë kontratat dhe në kontratat theksohet se pagesat duhet të bëhen në euro, ndonjëherë në dollarë amerikanë, por kryesisht në euro. Dhe e bëra të qartë gjatë bisedës time me Presidentin rus se kjo do të vazhdojë siç ka qenë”, tha Scholz.
Komisioneri i Ekonomisë i BE-së, Paolo Gentiloni tha se kjo “është një përpjekje për të anashkaluar sanksionet europiane dhe për të shantazhuar Bashkimin Europian”.
Peskov tha gjithashtu se vendimi për të shitur gazin rus në rubla mund të anulohet në të ardhmen, por tani për tani rubla është opsioni më i mundshëm i Rusisë.
/abcnews.al