Në spital me plumb në mushkëri, sot i njoftohet masa e sigurisë Nuredin Dumanit

schedule11:24 - 1 Prill, 2022

schedule 11:24 - 1 Prill, 2022

Në spital aty ku ndodhet i shtruar ende me plumb në mushkëri, do ti komunikohet sot masa e sigurisë Nuredin Dumanit.

Seanca do të zhvillohet në orën 15.00 në ambientet e spitalit të Traumës në Tiranë.

Gjyqtare do të jetë Matilda Fetau, kurse prokurori i çështjes është Kreshnik Ajazi.

Nuredin Dumani vijon të qëndrojë i shtruar të Trauma, pasi plumbi që mori në përplasjen me armë në Papër nuk i është hequr ende nga trupi. 39 vjeçari nuk ka dëshmuar para grupit hetimor.

Dy mjekët dhe infermieri janë arrestuar për akuzën e moskallëzimit të krimit dhe veprime të pengojnë zbulimin e së vërtetës. Sipas policisë, duhet të kishin lajmëruar uniformat blu sipas ligjit.

E arrestuar është edhe vajza 20 vjeçare Mirjet Hajdini, me akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe përkrahja e autorit të krimit. E reja me origjinë nga Kosova u gjet brenda banesës ku u arrestua Dumani.

Ky i fundit, muaj më parë kishte qëndruar në Kosovë duke kaluar në mënyrë ilegale dhe pasi u kthye në vendin tonë kishte marrë me vete edhe vajzën 20 vjeçare.

Bashkë me ta në pranga është vendosur edhe Henrik Hoxhaj. 40 vjeçari nga Fieri dyshohet të ketë ndihmuar Dumanin për ta strehuar, pasi banesa ku ai u kap, ishte në pronësi të mikut të Hoxhajt.

Policia dhe Prokuroria e Elbasanit vijojnë ende hetimet për të zbuluar itinerarin e ndjekur nga Nuredin Dumani para përplasjes së armatosur në Papër, dy ditë më parë. Si dhe kush janë personat e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!