Suksesi ndaj Andorrës u arrit falë karakterit dhe mobilizimit të gjithë ekipit.
Trajneri i Kombëtares, Ervin Bulku, dhe lojtarët e tij, komentojnë rezultatin 3-0 në eleminatoret e Europianit.
Në një prononcim për shtypin, Trajneri i Kombëtares, Ervin Bulku, tha se:
“Kanë ndryshuar çunat në fushë, dhanë maksimumin, treguan kualitetin që kanë të gjithë bashkë. Duhet ta kishim zhbllokuar më shpejt rezultatin që ta kishim më të lehtë”
Kapiteni Elseid Hysaj tregoi se çfarë vendosi në favor të Shqipërisë.
“Besoj se ishte e rëndësishme fitorja e kësaj ndeshje, për moralin e çunave dhe për moralin e gjithë tifozëve. Shpresoj që me këtë fitore të jemi akoma në lojë dhe të mendojmë për lojrat e tjera”
Gjithashtu edhe golashënuesi Armando Sadiku në ndeshjen me Andorrën deklaroi se:
“Jam shumë i gëzuar që arrita të shënoja, ishte ndeshje e vështirë brenda fushës. Jam shumë i gëzuar gjithashtu që u riktheva në kombëtare pas 1 viti dhe i lumtur për 3 pikët”
Migjen Basha nuk e ka harruar aq shpejt ish-trajnerin Panuçi.
“Nuk e kam kuptuar se cfarë mendimi ka patur ai, a ka qenë negativ apo pozitiv, nga deklaratat e fundit më janë dukur negative, nuk ka pasur respekt, por disa lojtarë këtu bënë historinë.
Ndërsa Bekim Balaj u duk tepër i çliruar pas golit të shënuar.
“Do bëj maksimumin, normalisht jam sulmues, detyra ime është të shënojë sa më shumë. Sigurisht që golat e mi kthehen në ndihmë dhe pikë për ekipin kombëtar. E doja shumë golin sepse në ca ndeshje më ka munguar dhe shpresoj të shënoj sa më shumë në të ardhmen. Golin e përjetoj shumë. E doja një gol”
Kombëtarja u ndje pikërisht kështu në dhomën e zhveshjes së “Stadiumit Kombëtar” të Andorrës, e çliruar pas një periudhe të gjatë negative, pikërisht nga rezultati 3-0 ndaj Andorrës, në ndeshjen e dytë në grupin eleminator të Europianit.
Pas shtatë humbjeve e vetëm dy fitoreve minimale 1-0 me Kristian Panuçin, i qelloi fati, si edhe merita, ish-ndihmësit të tij, Ervin Bulku, që të ishte në stol./abcnews.al