Sot po zgjidhen degët e specializimeve në Mjekësi, përmes një procesi të hapur dhe transparent që po zhvillohet në Fakultetin e Mjekësisë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër procesin e përzgjedhjes së specializimeve, ku u shpreh se tashmë për të shtatin vit radhazi, kemi krijuar qëndrueshmëri në këtë proces, pas një periudhe 4-vjeçare të mungesës së hapjes së specializimeve.
“Kemi bërë një punë sistematike, në funksion të plotësimit të të gjitha atyre vakancave të krijuara nga mungesa e hapjes së specializimeve për një periudhë katër vjeçare. Tashmë në të shtatin vit, ne kemi krijuar jo vetëm qëndrueshmëri në këtë proces, por edhe një proces transparent, meritokratik, në funksion të përzgjedhjes së specializimeve por edhe të rritjes së numrit të kuotave të specializimeve. Në këto shtatë vite janë hapur më shumë se 1400 kuota specializimesh. Këtë vit hapim 318 kuota, ku 125 kuota janë për Ministrinë e Shëndetësisë, pra që do të plotësojnë -në momentin që do të përfundojë ky cikël specializimesh- nevojat në vend për specialitete të përcaktuara, duke filluar nga specialitetet e kardiologjisë, të anestezi-reanimacionit, imazherisë, sëmundjeve interne.
Përfundojnë në këtë vit ciklin e parë të kontratave, specializantët e parë të punësuar, pas rihapjes së specializimeve. Çfarë po ndodh në fakt në këto momente dhe që është edhe një proces që vërtet na bëhet shumë qejfi, është që një pjesë e tyre po qëndrojnë në spitalet rajonale. Një pjesë tjetër të cilët kanë përfunduar kontratat dhe obligimin për të qëndruar në spitalet e rretheve, janë duke u sistemuar në gjithë shërbimin shëndetësor publik. Bashkë me Universitetin e Mjekësisë, Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, ne kemi vendosur që të rrisim dhe numrin e kuotave të pranimit për studentët në Mjekësi dhe kemi synimin që duke filluar nga ky vit, viti akademik 2022-2023, ne të shtojmë me 100 deri në 150 kuotat e pranimit në Fakultetin e Mjekësisë”, tha Manastirliu.
Duke folur për mbështetjen e mjekëve, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se do të vijojë rritja e pagave, përmirësimi i kushteve të infrastrukturës shëndetësore dhe më shumë autonomi, përmes ligjit të ri të spitaleve që pritet të miratohet së shpejti.
“Ne do të vijojmë rritjen e pagave. Politika e qeverisë do të vijojë të jetë në mbështetje të mjekëve, infermierëve përsa i përket rritjes konsekutive të pagave çdo vit. Ashtu sikurse bëmë në 2021 me 40% rritje pagash, duke filluar nga data 1 korrik e këtij viti, do të rriten sërish 6% pagat për të gjithë personelin shëndetësor në vend. Ne jemi duke punuar në mënyrë që të kemi më shumë autonomi brenda spitaleve tona dhe së fundmi, ne kemi përfunduar ligjin përsa i përket shërbimit spitalor në Republikën e Shqipërisë që pritet të miratohet së shpejti”, tha Manastirliu./abcnews.al