Aleksis Tsipras ka akuzuar Turqinë se në Ditën e Pavarësisë së Greqisë ka shkelur hapësirën ajrore të saj, duke ndërhyrë me avionë ushtarakë edhe në kursin e helikopterit të tij.
Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka akuzuar Turqinë se ka “ngacmuar” helikopterin e tij me avionë luftarakë, teksa po udhëtonte me rastin e ditës së pavarësisë. Tsipras ka deklaruar se helikopteri i tij u detyrua të fluturonte në nivel të ulët për shkak se avionët turq hynë në hapësirën ajrore greke. Kryeministri ka akuzuar Turqinë për veprime të pamatura që nuk kanë asnjë kuptim. “Ushtria greke i lokalizoi mjetet që shkelën hapësirën ajrore kombëtare”, ka deklaruar Tsipras gjatë një fjalimi në ishullin e vogël të Egjeut, Agathonisi, i ndodhur pranë Turqisë dhe i zgjedhur për të përkujtuar ditën e pavarësisë. Në ditën në fjalë, grekët festojnë ngritjen e popullit të tyre kundër Perandorisë Otomane në vitin 1821. “Pata nderin të pres këtu në Agathonisi juve dhe disa avionë të forcave ajrore turke.
Ndoshta donin të merrnin pjesë në festën tonë”, tha me ironi Tsipras para të pranishëmve. Por kryeministri grek nuk e fshehu irritimin. “Çfarë u tha mendja?”, u shpreh ai. Më tej Tsipras shtoi se, Greqia është e gatshme të bashkëpunojë me Turqinë, por ajo do ta mbrojë gjithmonë integritetin e saj kombëtar. Nga ana e tyre, forcat turke të sigurisë i kanë hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se avionët po kryenin vetëm një mision rutinë. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të tensionuara prej dekadash për shkak të pretendimeve territoriale në detin Egje. Por si Tsipras ashtu edhe lideri turk Recep Tajip Erdogan janë përpjekur t’i përmirësojnë ato. Në vitin 2017, Erdogan u bë presidenti i parë turk që vizitonte Greqinënë 65 vjet./abcnews.al