Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa bëri edhe njëherë përgjegjës kryesor kryeministrin Edi Rama për aferën e inceneratorëve. E ftuar në “Radar Informativ” me Juli Xhokaxhi, deputetja demokrate tha se Rama ka firmosur për të tre inceneratorët dhe se ata nuk e akuzojnë thjeshtë për procedura.
“Edi Rama ka firmosur për të tre inceneratorët dhe ne e akuzojmë për vjedhje. Edi Rama ka dhënë tre koncesione korruptive, tre njerëzve që janë në kërkim tani”, tha ajo.
Deputetja, theksoi se SPAK është në rrugën e duhur, por nuk duhet të mjaftohet me kaq. Sipas, Zhupës në hetimet për Tiranën mund të dalin më shumë emra të përfshirë, pasi ky incenerator nuk ekziston as si objekt.
“PD ka bërë tre paditë fillestare. Ne kemi bërë padi për secilin në mënyrë të ndarë për këta që kanë përgjegjësi politike. Dhe më pas kemi bërë një padi të fundit si grup i strukturuar kriminal. Nuk mund të mendohet që ka përgjegjësi sekretari i ministrisë dhe jo ai i kryeministrisë. SPAK është duke bërë një punë që po ecën në drejtimin e duhur, por nuk duhet të mjaftohet me kaq.
Ajo që ndryshon nga Tirana është se jepen më shumë para. Tirana ka një gjë tjetër, këtu nuk ka incenerator, por vetëm një fushë me bar. Tirana do të jetë ajo që do të bëjë më shumë zyrtarë që të arrestohen”, tha ajo. /abcnews.al