Për një kohë të gjatë, ka pasur një ndarje mes metodologjisë dhe aspekteve politike të integrimit në BE, e cila është vënë në provë tani me thirrjet për anëtarësim të shpejtë në BE të Ukrainës dhe ritmin e breshkave të pranimit të Ballkanit Perëndimor.
Nga Majlinda Bregu
Sekretare e Përgjithshme e RCC
Pushtimi i Ukrainës, -një zgjim i vrazhdë, mbi të gjitha për qytetarët e Ukrainës, ka dërguar një valë dridhjeje, tronditje dhe tmerr në të gjithë Evropën. Shumica e evropianëve, për dekada të tëra, e kuptuan paqen, sipas fjalëve të Yuval Hararit, jo si mungesë lufte, por si pamundësi për të patur luftë. Them shumicën, sepse ne në Ballkanin Perëndimor e njohim shijen monstruozisht të hidhu të luftës që edhe pse ka kaluar 30 vjet nuk mund të shlyhet lehtë nga kujtesa.
Po jetojmë në kohën e ndryshimit të madh në arkitekturën gjeopolitike. Përgjigja e bashkuar në prag të pushtimit, për herë të parë për një kohë të gjatë, riafirmoi se BE-ja, me të vërtetë, jo vetëm ka kapacitet, por e ka të nevojshme për ta bërë këtë.
Ky moment është edhe qendra e gravitetit për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, duke treguar se Ballkani Perëndimor mund të kontribuojë në zgjidhjet për çështjet kyçe transnacionale duke i dhënë peshën e vet përpjekjeve shumëpalëshe globale. Megjithatë, Ballkani Perëndimor është në një rradhë të gjatë të pritjes për anëtarësimin në BE. Ndërsa procesi i pranimit në BE po bëhet tërkuzë, kohët e tanishme na kujtojnë se perspektiva evropiane nuk është vetëm një çështje e përparimit socio-ekonomik dhe prosperitetit, por edhe çështje e sigurisë dhe stabilitetit të kontinentit.
Ukraina, nën hijen e pushtimit rus, paraqiti kërkesën zyrtare për anëtarësim të menjëhershëm në BE me një procedurë të veçantë e të shpejtë. Kërkesa Ukrainës u pasua menjëherë nga aplikimet formale të Gjeorgjisë dhe Moldavisë.
Konteksti gjeopolitik na kujton se anëtarësimi në BE nuk është thjesht një proces metodologjik i përafrimit legjislativ, por dhe një akt politik. Dhe një akt politik nuk merr jetë pa veprim.
Të jesh evropian është të ndihesh i tillë dhe të anëtarësohesh te vlerat dhe vizioni i Unionit.
Unë nuk dua të nënvleftësoj procesin e zgjatur të përafrimit me BE. Por për një kohë të gjatë, ka pasur një ndarje midis metodologjisë dhe aspekteve politike të integrimit në BE.
Përmbushja e kërkesave teknike nuk i dha Kosovës, liberalizimin e vizave, as fillimin e negociatave Shqipërinë dhe Maqedonisë së Veriut.
Mungesa e konsensusit brenda BE-së për këto çështje, dhe ritmi i breshkës së procesit të pranimit, krijoi përshtypjen se Ballkani Perëndimor është një lavjerrës që ende mund të vijojë të tundet nga ata që guxojnë për ta bërë një gjë të tillë.
Më pak qytetarë çdo vit, 24%, besojnë se integrimi i ekonomive të tyre përkatëse në BE do të ndodhë së shpejti. Duke pasur parasysh ngjarjet e fundit, askush nuk mund të pretendojë se kjo nuk përbën shqetësim për të ardhmen dhe sigurinë e BE.
Përveç sfidimit të mjedisit të paqes dhe sigurisë në Evropë, varfëria dhe pabarazitë ekzistuese në të ardhura në Ballkanin Perëndimor do të zgjerohen për shkak të inflacionit dhe rritjes së çmimeve të ushqimit dhe të energjisë.
Për më tepër, inflacioni në eurozonë do të transferohet gjithashtu në Ballkanin Perëndimor. Nuk dihet ende me siguri nëse ndikimi i përgjithshëm që lufta do të ketë në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor do të çojë në stagflacion. E mira dhe e keqja shkojnë bashkë vijojmë t’i themi ne vetes. Por kohët e këqija kanë një ndikim më të rëndësishëm. Problemi është kur duhet të themi që po jetojmë kohë të mira. Nxitja e frikës nuk do të ndihmojë askënd, ndërsa jetojmë krizën e dukshme me thirrje për reflektim mbi sfidat, dobësitë dhe perspektivën e “afrimit më të afërt” me BE.
Motoja: “Dyert janë të hapura”, do të ketë vetëm efektin e aspirinës nëse nuk bashkohet me një thirrje për përshpejtimin e udhëtimi drejt anëtarësimit në BE, si dhe përshtatjen me politikat, programet dhe tregun e BE-së si pjesë e procesit të pranimit. Ballkani Perëndimor tashmë e ka filluar këtë udhëtim duke kombinuar përpjekjet për të ndërtuar tregun e përbashkët po ashtu si tregu unik i BE-së, duke mbajtur kufijtë e hapur përmes korsive të gjelbra për ushqim dhe ilaçe gjatë pandemisë, duke krijuar një zonë ku roaming është zero, duke u bashkuar me zonën e vetme të pagesave të reja, duke arritur njohjen e ndërsjellë në shërbime të ndryshme dhe licencat me BE, etj.
Unë e konsideroj këtë qasje si një gjë që “duhet të ndodhë” në vend që t’i nënshtrohem impulsit “duhet bërë” të debateve se sa kohë do t’i duhet Ukrainës, Moldavisë, Gjeorgjisë dhe Ballkanit Perëndimor deri në anëtarësimin përfundimtar në BE.
Ne e dimë se duhet të mësohemi të jetojmë me një ndjenjë të pasigurisë së vazhdueshme. Marrëdhëniet e mira mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-ja mund të jenë ngushëlluese, por duhet të jetë inkurajuese për të ardhmen.
Elasticiteti në unitetin, solidaritetin, vendosmërinë, bashkëpunimin dhe shpërndarjen e miliarda eurove në Fondin Evropian të Mbrojtjes nga Komisioni Evropian ose Plani i Investimeve Evropiane për Ballkanin Perëndimor nuk mjaftojnë. Parakushtet për sigurinë dhe stabilitetin e BE-së shtrihen përtej kufijve të saj formalë. Ata vlejnë edhe për vendet aspirante.
Ne jemi evropianë jo vetëm sepse ne pajtohemi me vlerat e mishëruara në traktatet e Bashkimit Evropian.
Ne jemi evropianë, sepse ne zgjedhim të jemi të tillë. Kjo nuk do të thotë se i largohemi procesit të pranimit në BE të bazuar në meritë.
“Përtej dallimeve dhe kufijve gjeografikë, shtrihet një interes i përbashkët”, tha Jean Monnet.
Dhe sa shumë të drejtë kishte!