Gjermania fiton ndaj Holandës

schedule08:05 - 25 Mars, 2019

schedule 08:05 - 25 Mars, 2019

Gjermania iu përgjigj kritikave të ashpra me një fitore të madhe në fushën e Holandës. Trajneri Lëv tregoi se është në rrugën e duhur me afrimin e talenteve të reja në kombëtare.

U desh të rrezikonte, por ia doli për mrekulli. Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, hodhi në fushë Marko Rojsin e dëmtuar në minutat e fundit në Amsterdam, dhe kapiteni i Dortmundit krijoi golin e fitores, shënuar nga Shulc.

Triumfi 3-2 në Holandë, krejtësisht i papritur pas dështimeve të fundit, ishte revanshi më i mirë që trajneri mund të merrte ndaj kritikëve të tij, çuditërisht që të gjithë pjesë e futbollit gjerman.

Katër herë kampionët e botës u quajtën të vdekur përpara një ekipi që i kishte turpëruar në Ligën e Kombeve, por e vërteta doli ndryshe. Golat nga Leroi Sane e Serg Gnabri kurorëzuan një pjesë të parë të jashtëzakonshme, ndërsa Shulc në fund bëri të pavlefshëm reagimin e madh të holandezëve.

Vendasit barazuan pas pushimit me rrjetat e De Ligtit dhe Memfis Depait, por kjo doli e pamjaftueshme. Kritikat kishin qenë të ashpra përpara mbrëmjes së Amsterdamit, sidomos për largimin e veteranëve Humels, Boateng e Myler, dhe afrimin e të rinjve në kombëtare.

Sulmet erdhën nga Bajerni, dhe nga analistë të shquar, madje flitet se vetë presidenti i Federatës Gjermane, Grindel, i tensionoi marrëdhëniet me Lëvin pas vendimit për treshen kampione të botës.

Vetë Lëvi nuk deshi të fliste për këto.

“Ishte një fitore e merituar, – tha ai, – arritur ndaj një rivali shumë të fortë. Pjesa e parë ishte e një niveli tepër të lartë, thuajse e përsosur. Gjithsesi, ishte vetëm ndeshja e parë, dhe nuk mund të kënaqemi para kohe, ne e dimë sesa të vështirë kanë qenë vitet e fundit”.

Gazetat gjermane as nuk deshën të mendonin për vitet e fundit.

“Bild”: Fitorja drithëruese prej ëndrre e Jogit në Holandë! Emocionet tona më të bukura që nga Botërori I Brazilit në 2014!

“Tages shpil”: Vazhdoni përpara! Nuk është gjithçka e keqe në futbollin gjerman, skuadra e trajnerit Lëv i nisi siç duhet eleminatoret e Europianit, me fitore në Amsterdam!

“Di Velt”: Djemtë e Lëvit patën finale të madhe! Trajneri i kombëtares ia doli mbanë, me një ekip tepër të rinuar që fitoi 3-2 ndaj rivalëve të mëdhenj holandezë!

“Di Cajt”: Si një kuti çokollatash! Ti kurrë nuk e di se çfarë ka brenda! Në fitoren 3-2 në Holandë, niveli i kombëtares gjermane ishte tepër i madh, duke bërë të kundërtën e asaj që prisnin të gjithë!

Suksesi në Amsterdam, gjithsesi, nuk mund të arrihej nëse portieri Manuel Nojer nuk do të bënte disa pritje shpëtuese. Kapiteni ndaloi holandezët që fare mirë mund ta kishin fituar ndeshjen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!