Kombëtarja synon fitoren e parë në eleminatoret e Europianit, në ndeshjen që do të luajë sonte në fushën e Andorrës. Trajneri I përkohshëm, Bulku, dhe kapiteni Hysaj, kanë besim
Trajner i ri, fat i ri. Mund të ndodhë edhe kështu për Ervin Bulkun, që do të drejtojë sot kombëtaren, për herë të parë në krye të saj, pas shkarkimit të Kristian Panuçit. Prova e tij e zjarrit do të jetë sonte në orën 20:45, në stadiumin e Andorrës, ndeshja e dytë eleminatore e Europianit.
Disfata në Shkodër me Turqinë e bën të detyrueshëm rezultatin pozitiv, ndonëse nuk harrohet humbja e pësuar në miqësoren 17 vjet më parë që solli shkarkimin e trajnerit të fundit shqiptar të kombëtares, Sulejman Demollarit. Bulku beson se sonte do të jetë ndryshe.
Disfatat e kohëve të fundit sikur e kanë ulur besimin e publikut te kombëtarja. Kapiteni Hysaj u pyet për besimin e paktë që Panuçi kishte te lojtarët, ndërsa kërkon përqendrim te kjo ndeshje.
Kombëtarja pritet të ketë ndryshime në krahasim me Turqinë. Në qendër të mbrojtjes mund të jetë dyshja Ajeti-Ismajli, ndërsa në krahë të njëjtët lojtarë.
Në mesfushë, Kaçe ose Basha mendohen si organizatorë në qendër, me Abrashin e Xhakën si mbështetës, ndërsa në sulm pritet të jetë Sadiku, mbështetur nga Uzuni e Grezda.
Shqipëria dhe Andorra janë ndeshur tri herë, që të gjitha ndeshje miqësore ose për turne të vegjël, me dy fitore të shqiptarëve, 3-0 e 1-0, dhe një fitore 2-0 të kundërshtarit./abcnews.al