Tani duhet ta ndihmojmë Ukrainën të mbijetojë, pastaj të merremi me rrëzimin e Putinit

schedule11:04 - 29 Mars, 2022

schedule 11:04 - 29 Mars, 2022

Nga Clive Crook “Bloomberg

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Çfarë duhet të përpiqen të arrijnë Shtetet e Bashkuara dhe Evropa në Ukrainë? Është mjaft e qartë se çfarë do të donin që të ndodhte. Ato do të donin që Ukraina t’i dërmonte në fushën e betejës forcat ruse, që sanksionet e Perëndimit ta gjymtojnë ekonominë e Rusisë, dhe që Vladimir Putin të dështojë aq qartë dhe aq plotësisht sa të detyrohet të largohet nga pushteti.

Ideja që Ukraina mund ta mposhtë ushtrinë e Putinit, është shumë më e besueshme sot nga sa ishte 3 javë më parë. Megjithatë, duke pasur parasysh çekuilibrin e madh të burimeve ushtarake dhe pamëshirshmërinë e provuar tashmë të Putinit, kjo gjë mbetet e pamundur.

Të shpresosh për një fitore të Ukrainës në këtë luftë është një gjë. Ndërsa të synosh të arrish atë pavarësisht nga pasojat, është një gjë krejtësisht tjetër. Rezistenca e Ukrainës ka qenë jashtëzakonisht e guximshme dhe e aftë. Paaftësia e ushtrisë ruse, ka qenë thuajse po aq befasuese.

Me sa duket luftëtarët e Ukrainës, mund të jenë në gjendje jo vetëm të bllokojnë përparimet e Rusisë, por edhe të rimarrin territoret e humbura në javët e para të pushtimit. Siç e theksojnë edhe vetë ukrainasit, gjithçka për të cilën kanë nevojë, janë më shumë armë dhe të një cilësie më të lartë, së bashku me sanksione gjithnjë e më të forta ndaj regjimit të Putinit.

Megjithatë mos harroni se ky është një bast mbi aftësinë e Vladimir Putinit për t’u vetë-përmbajtur në veprimet e tij, dhe shanset për të pasur sukses nuk janë të favorshme. I detyruar që të zgjedhë midis një humbjeje të dukshme dhe përshkallëzimit të mëtejshëm të agresionit, të dhënat sugjerojnë se ai do të zgjedhë këtë të fundit.

Vdekja e të pafajshmëve as që e shqetëson atë, dhe këtë gjë e ka treguar qartazi sjellja e tij në Ukrainë (por edhe në Siri dhe Çeçeni më parë). Vladimir Putin zotëron mjetet për ta përshkallëzuar situatën, jo vetëm nëpërmjet bombardimeve konvencionale të qyteteve të Ukrainës, por edhe përmes armëve kimike dhe atyre bërthamore.

Nëse ai do të mendojë se nuk ka asgjë për të humbur, atëherë basti mbi ri-kthimin e valës së luftës, madje edhe me rrezikun e shkatërrimit të gjithçkaje rreth tij, mund të jetë rrugëdalja e tij e preferuar nga situata delikate ku e ka zhytur veten.

Përshkallëzimi mund të mos çojë deri në një luftë bërthamore – një rezultat aktualisht më i mendueshëm sesa ka qenë për dekada me radhë – por sigurisht që do të nënkuptonte më shumë vdekje dhe shkatërrime në Ukrainë. Kjo e bën shumë të rrezikshëm synimin për humbjen e plotë të Putinit në këtë luftë.

Qëllimi i menjëhershëm i Perëndimit, duhet të jetë ndalimi i konfliktit, dhe lejimi që presidentit rus të arrijë diçka që ai mund ta quajë sukses. Më pas është jetike ndëshkimi dhe mposhtja e tij. Por ky duhet të jetë një projekt afatgjatë, dhe të mos ndiqet që tani, pasi do të kishte shumë më tepër të vdekur në Ukrainë.

Fakti që lufta ka shkuar keq për Putinin, e bën të mundur një armëpushim, dhe një zgjidhje të përkohshme. Elementët kryesorë mund të jenë si më poshtë. Qeveria e Volodymyr Zelenskiy mbetet në fuqi. Ukraina pajtohet me NATO-n, se nuk do të anëtarësohet në aleancën Veriatlantike.

Dhe në fakt Zelenskiy ka përsëritur ditët e fundit se është i gatshëm që ta pranojë këtë gjë. Ndërkohë Rusia tërhiqet nga veriu i Ukrainës, por ruan përfitimet e saj territoriale në lindje dhe jug të Ukrainës, dhe statusi i tyre do të përcaktohet në kohën e duhur.

Një konferencë e sigurisë e NATO-s, Ukrainës dhe Rusisë mund të japë garanci për pavarësinë dhe sovranitetin e Ukrainës. Dhe në këto kushte Perëndimi mund të fillojë të heqë sanksionet e tij. Të gjithë këta elementë kanë ndërlikimet e tyre, por diçka në këto linja duket e realizueshme.

Do të ishte një paqe e brishtë dhe e padrejtë – siç janë shumë të tilla – dhe shumë më pak se sa një “fitore” për Ukrainën. Putin mund ta quajë një shpagim, dhe pikërisht për këtë arsye ai mund të shkojë drejt këtij skenari.

Por në një periudhë afatshkurtër, kjo lloj marrëveshjeje do ta linte Perëndimin dhe sidomos Ukrainën në një pozitë më mirë se sa do të ishte në alternativën më të besueshme:një përshkallëzim i mëtejshëm i luftës. Aleatët duhet të punojnë seriozisht drejt këtij qëllimi afatshkurtër.

Përtej kësaj periudhe afatshkurtër, ndryshojnë edhe llogaritë. Edhe nëse Putinit i lejohet që ta mohojë, ai është poshtëruar nga rezistenca e Ukrainës dhe nga performanca e dobët e ushtrisë së tij, dhe kjo do të shërbejë si një frenim për veprimet e tij të ardhshme.

Megjithatë, qasja e nevojshme e moderuar ndaj Moskës për të ndalur luftën, do ta dobësonte NATO-n në rast se më tej nuk do të ndodhte më asgjë. Perëndimi do të mbetej i trembur dhe nën presion. Në fakt, ai ka dështuar tashmë në ofrimin e mbështetjes së drejtpërdrejtë ushtarake ndaj Ukrainës.

Ndaj për të shmangur një dëm më të madh, ai beson se nuk kishte zgjidhje tjetër. Por duke parë përpara, njohja e kësaj pengese dhe riparimi i dëmit, do të kërkonte një rishikim themelor të qasjes së aleatëve ndaj Rusisë.

Biznesi si zakonisht me rusët, duhet të jetë jashtë tryezës, për aq kohë sa Putini apo dikush si ai do të jetë në krye të këtij vendit, dhe pavarësisht nëse do të ketë një paqe të përkohshme në Ukrainë. Aleatët duhet të forcojnë vendet lindorë të NATO-s.

Por jo me zë të lartë sa për t’u shfaqur në dukje, por me vendosmëri, sikur të jemi shumë pranë një luftë më e gjerë sa ajo në Ukrainë, siç edhe mund të ndodhë në të vërtetë. Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi javën e kaluar vendosjen e grupeve të reja luftarake në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki.

Dhe ky është të paktën një fillim i mbarë në këtë aspekt. Nën dritën e ngjarjeve të javëve

të fundit, shpenzimet dhe planifikimi i mbrojtjes duhet të rishqyrtohen në tërësinë e tyre. Mbështetja tek Rusia për energji apo ndonjë gjë tjetër, duhet të jetë tani jashtë çdo lloj diskutimi. Sërish, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa kanë ndërmarrë një hap të parë të vogël, duke rritur furnizimet me gazin amerikan.

Por ka shumë më tepër për të bërë në këtë sektor, në mënyrë që t’i jepet fund varësisë nga energjia ruse. Heqja e disa sanksioneve do të ishte pjesë e marrëveshjes afatshkurtër, por jo me synimin për të rivendosur përfundimisht marrëdhëniet normale tregtare me Rusinë.

Një politikë afatgjatë efektive duhet të jetë Lufta e Ftohtë II, pa pasur më iluzione për tërheqjen e Rusisë së Putinit në një partneritet miqësor të çfarëdolloji. Zgjidhja e këtij problemi dhe frenimi i kriminalitetit të Putinit, është një punë që do të dojë shumë vite angazhim dhe përpjekje.

Dhe duke u nisur nga kjo pikë, duke pasur parasysh gabimet e bëra tashmë,ski dhe hezitimin e aleatëve për të zgjeruar konfliktin, fitorja për Ukrainën është një ambicie e pamatur. Është më mirë ta ndihmojmë Putinin të tërhiqet. Dhe në një fazë të dytë të bëjmë atë të pendohet për luftën që nisi në fillim të këtij viti. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!