Vrasja e avokatit, dyshime për hakmarrje midis bandave në Elbasan

schedule13:45 - 23 Mars, 2019

schedule 13:45 - 23 Mars, 2019

Vrasja e avokatit Ravik Gurra mbrëmjen e djeshme dyshimet e para të policisë janë për hakmarrje midis bandave kriminale që veprojnë në qytetin e Elbasanit. Gurra ishte mbrojtësi ligjorë i anëtareve të njërës nga bandat kriminale në Elbasan, gjithashtu ishte mbrojtësi ligjorë i Emiljano Shullazit.

Ende nuk ka asnjë të dyshuar për vrasjen e avokatit Ravik Gurra mbrëmjen e së premtes në Elbasan. Policia shoqëroi disa persona të cilët më pas i liroi, ndërsa forca të shumta policie të mbështetura nga RENEA kryen kontrolle në rrugët, lagjet e qytetit si dhe në akset nacionale.

Ndërkohë, hetimet për vrasjen e avokatit të Emiljano Shullazit  Ravik Gurra i kanë kaluar prokurorisë së Krimeve të rënda. ABC News mëson se në krye të grupit hetimor do të jetë prokurori Behar Dibra. Dy janë pistat ku po përqendrohen hetimet. Bëhet fjalë vrasjen për shkak të detyrës, pasi avokati mbronte ta pandehur si Emiljano Shullazi dhe emra të tjerë të botës së krimit. Ndërsa pista tjetër sipas burimeve është hasmëria midis bandave kriminale që veprojnë në këtë qytet, avokat i njërës prej të cilave ishte edhe 50-vjeçari Gurra.

Së fundmi avokati kishte marrë nën mbrojtje Gjergji Kohilen dhe Sokol Boden policët e Vlorës që janë në arrati, pjesë e dosjes Tahiri.

Sipas ekspertëve, mënyra e realizimit të vrasjes tregon për një atentat të mirë-organizuar.  Avokati u qellua me pistoletë silenciator me dy plumba në kokë nga një person i maskuar. Më pas, i ndihmuar edhe nga një person tjetër, ai është larguar me një automjet tip Bez me targa AA 934 HU, i cili u gjet i djegur në periferi të Elbasanit në afërsi të fshatit Bradashesh.

Policia kriminale ka shoqëruar dhjetëra persona në Elbasan ndërsa janë sekuestruar pamjet nga kamerat e sigurisë të bizneseve përreth vendit të krimit.

Në policinë e Elbasanit këtë të Shtunë janë paraqitur anëtarë të familjes që kishte  në mbrojtje avokati, me makina të blinduara dhe tejet të revoltuar për vrasjen. Grurra ka bërë beteja të forta ligjore në mbrojtje të interesit të tyre.

Për ngjarjen ka pasur reagime në qytetin e Elbasanit. Dhoma e Avokatisë në Elbasan ka ndërprerë shërbimet për tre ditë në shenjë proteste.

Një reagim ka ardhur edhe nga Partia Demokratike dega Elbasan me anë të kryetarit të saj Eugen Isaj i cili mes të tjerash është shprehur se vrasja e avokatit të njohur dëshmon edhe njëherë se shteti dhe policia, kanë rënë.

Ravik Gurra ishte baba i dy vajzave. Ai jetonte mes Anglisë dhe Shqipërisë dhe ishte avokat i çështjeve të rëndësishme në vend./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!