Partia Popullore Europiane ka votuar të mërkurën pro dëbimit nga radhët e saj të partisë së kryeministrit hungarez Viktor Orban. Shkak për këtë penalizim u bë retorika anti-BE e Orban, si dhe ndërhyrjet e tij në pavarësinë e gjyqësorit dhe fushata e ashpër kundër emigrantëve.
Partia Popullore Europiane ka votuar të mërkurën pro dëbimit të partisë së kryeministrit hungarez Viktor Orban, FIDESZ. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i qendrës së djathtë europiane, Xhozef Daul.
Grupimi politik, që është më i madhi në Parlamentin Europian, u mblodh posaçërisht në Bruksel për të vendosur mbi të ardhmen e partisë FIDESZ.
Në një postim në rrjetin social Twitter, kryetari Daul deklaroi se subjekti në fjalë do të pezullohej nga anëtarësimi në PPE me efekt të menjëhershëm. Në favor të kësaj lëvizjeje shkuan 190 vota pro dhe 3 kundër.
Kjo do të thotë se partia e kryeministrit hungarez nuk do të marrë më pjesë në takimet e PPE-së, nuk do të ketë më të drejtë vote dhe nuk do të mund të propozojë më kandidatë.
Më herët, FIDESZ deklaroi se do të largohej vetë nga PPE nëse kjo e fundit do të vendoste pezullimin e saj. Takimi i së mërkurës erdhi pas muajsh të tërë tension mes Orban dhe disa prej kolegëve të tij në qendrën e djathtë europiane.
Situata u acarua më tej kur qeveria e tij publikoi një poster ku akuzonte presidentin e Komisionit Europian Zhan Klod Junker për promovimin e politikave pro-emigracionit, të cilat sipas saj kërcënonin sigurinë kombëtare të Hungarisë.
Ndërkohë, në politikën e brendshme Orban është akuzuar nga kundërshtarët e tij për nxitje të urrejtjes, për ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit dhe për dorë të hekurt në dëm të medias./abcnews.al