Qeveria e Kosovës ka vendosur sanksione të reja sot ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.
Kryeministri Albin Kurti njoftoi se këto masa do të jenë në përputhje me pakon e katërt të sanksioneve ndaj këtyre shteteve nga ShBA-të, BE-ja dhe partnerët e tjerë.
“Në vazhdimësi të bashkëpunimit të ngushtë me ShBA-të, BE-në edhe partnerët e tjerë, Ministria e Punëve të Jashtme ka marrë propozuar vendimin për zbatimin e të gjitha sanksioneve ekonomike dhe financiare të përcaktuara nga BE-ja ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë. Përmes këtij vendimi qeveria jonë do të vazhdojë të rreshtohet me partnerët në zbatimin e sanksioneve dhe masave përfshire edhe pakon e katërt të sanksioneve të BE-së”, ka thënë Kurti.
Kryeministri theksoi se këto masa janë ekonomike, tregtare dhe financiare.
Ndërsa ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla tha se të gjitha sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë janë vendosur në konsultim të plotë me ShBA-të, BE-në dhe partnerët e tjerë.
“Sanksionet e zgjeruara përfshijnë ngrirje të asesteve bankare, institucione financiare dhe individë, ndalimin e qasjes së tyre në tregjet financiare, ndalimin e transmetimit të mediave propagandueses, materiale të ndryshme që mund të përdoren për makineri të luftës, restrikcione Bjellorusisë për ndalimin e importit të mallrave teknologjike si përgjigje e mbështetjes së luftës si kundërpërgjigjet e mbështetjes së luftës së Rusisë në Ukrainë dhe masa të tjera restriktive që shënjestrojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elitat dhe akterët politik të përfshirë në invazionin rusë në Ukrainë”, ka thënë ajo.
Sipas saj marrja e këtij vendimi do të kontribuonte në paqen dhe sigurinë botërore. /Express

