Në konferencën e ditës së sotme në prag të miqësores që kuqezinjtë luajnë më 26 mars në stadiumin RCDE të Espanyol, ishin të pranishëm Elham Kastrati dhe Adrian Barjami.
Kastrati luan në Serinë B në Itali me skuadrën e Cittadellës, ku theksoi se futbolli italian është një shkollë shumë e mirë për t’u rritur, ndërsa u shpreh se kombëtarja në këto miqësore do të bëjë maksimumin që të marrë rezultat pozitiv.
“Jam shumë i lumtur që jam rikthyer, kam qenë edhe njëherë më parë pjesë e kombëtares, por është hera e parë me Rejën, gjithnjë është krenari të përfaqësoj kombëtaren. Italia është një shkollë e mirë për portierët dhe jam rritur atje që i vogël, punohet pak më ndryshe se vendet e tjera dhe Itala nxjerr portierë me kualitet”.
Si të është dukur kombëtarja? “Shqipëria ka një grup me shumë kualitet, këtë e tregojnë rezultatet. Mund të arrijmë diçka të madhe në ndeshjet kualifikuese”.
Ndeshjet miqësore, dihet potenciali i Spanjës dhe Gjeorgjisë. Do të synohet rezultati? “Varet edhe nga kundërshtari, ndaj Spanjës është pak më e vështirë por do të japim maksimumin. Ndaj Gjeorgjisë edhe rezultati është i rëndësishëm, për Shqipërinë janë ndeshje ku duhet të japim maksimumin”.
Karriera me Cittadellën? “Është viti i dytë që jam atje, po luaj rregullisht. Këtë vit objektivi është të jemi në Play-Off dhe të synojmë Serie A. Jam i lumtur atje”.
Një apel për tifozët? “Ata janë më kryesorët për ne futbollistët dhe është e rëndësishme të na mbështesin, mbi të gjitha ndaj Gjeorgjisë në shtëpi. Do ishte bukur ta shikonim stadiumin plot”, u shpreh Kastrati. /f.a/abcnews.al