Gripi i shpendëve i shfaqur së fundmi në vendin tonë ka sjellë ngordhjen e mijëra pulave në tre pulari në Durrës.
Rektori i Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku i ftuar në studion e ABC Live këtë të martë ka folur në lidhje me përhapjen e tij në vendin tonë, ku thekson se fillimisht është e vështirë që të kapësh atë, por sipas tij tashmë më e rëndësishme është menaxhimi i situatës post.
Sallaku thekson se kjo ishte një ndër goditjet më të rënda që ka marrë sektori i prodhimit të vezëve.
“Më vjen keq që ka ndodhur një gjë e tillë, pasi industria e vezëve ka qenë më e qëndrueshme në vendin tonë dhe tashmë me këtë zhvillim është një goditje për këtë sektor. E rëndësishme tashmë është që të mos përhapet dhe masat që duhet që të merren, për të mos u përhapur në stablishmentet e tjera. Është e vështirë që sëmundja të kapet që në fillim, fillimisht është dyshuar për sëmundjen.
Tashmë e rëndësishme gruposja e tyre. Nëse ne nuk do të shikonim atë grumbull të madh të shpendëve të ngordhur dhe situata nuk do të ishte kaq e përhapur. Qeveria shqiptare e ka kthyer fokusin tek universiteti bujqësor duke e cilësuar një aktor të rëndësishëm, pasi ne nuk jemi të ndarë në kodër Kamzës vetëm për të dhënë diploma por jemi një shërbim jetik. Të gjithë njohuritë që ne laburojmë me studentët kanë një rëndësi të veçantë në zhvillimin e një marrëdhënie të mirë mes natyrës dhe zinxhirëve ushqimorë”, ka thënë ai.
Ndër të tjera rektori ka analizuar dhe krizën ushqimore që pritet që të përfshijë jo vetëm vendin tonë por të gjithë botën.
Sallaku ka theksuar se rezervat e grurit në vendin tonë janë të mjaftueshme për të mos bërë panik dhe sipas tij për një kohë të shkurtër do të marrim edhe prodhimin e ri të tij.
Ai ka theksuar se nuk është e rëndësishme që të shtohen sipërfaqet e mbjella të grurit, por të misrit dhe të mos ndryshojë struktura për prodhimin e frutikulturës.
“Ajo që ne duhet që të bëjmë është se nuk duhet që të nxitojmë për të mbjellë grurë, pasi Shqipëria me atë pak tokë që ka duhet që të qëndrojë në frutikulturë dhe në blektori. Ne mbjellim diku 80 mijë ha grurë dhe për të mbizotëruar krizës është e rëndësishme që ne të shtojmë sipërfaqen e mbjellë me misër, meqë ka është dhe stina. Ne për dy muaj na vjen prodhimi i grurit dhe mesa kam unë informacion ka rezerva për të mos pasur panik.
Ne kemi grurë më shumë se gjysma e nevojës, por frika tjetër e ime është se fermerët do të shkojnë për të mbjellë grurë dhe mund të kemi një mbingarkesë të prodhimit të grurit, ndaj është e rëndësishme që ne të kemi këtë strukturë mbjellje dhe jo të shtojmë pa masë sipërfaqet.
Të gjithë biem dakord se çështja e sigurisë ushqimore është një çështje për të gjithë botën. Fermerët në vendin tonë akoma nuk janë të regjistruar në shtet, dhe kjo bën që të mos kenë as mbështetje financiare”, është shprehur ndër të tjera rektori./abcnews.al