Themeluesi i gazetës “Liberale”, Henri Çili ishte i ftuar këtë të martë në emisionin “Provokacija” ku komentoi edhe situatën aktuale politike. Sipas tij po ndodhin tre zhvillime të rëndësishme në vend.
“Në Shqipëri po ndodhin të paktën tre zhvillime të rëndësishme. Në radhë të parë kemi ndjesinë e ngecjes, të pesimizmit, të një horizonti të mbyllur. Deri në 2015, 2016, 2013 Shqipëria ka pasur një sens prespektive, ka pasur një sens horizonti të hapur. Elementi i dytë është fakti që në mënyrë të ngushtuar, modeli aktual, oferta ose struktura aktuale qeverisëse pothuajse i ka shteruar mundësitë e veta dhe lideri i saj, Rama. Por mbi të gjitha Shqipëria po rrezikon të rivulosë fatin e vet si një vend i prapambetur. Në teoritë e zhvillimit ka një moment, kur një shoqëri e pazhvilluar kalon në e zhvilluar. Ne nuk po kalojmë dot atë Take off-in. Është një fazë që ne nuk po e bëjmë 30 vjet pas rënies së komunizmit nuk po bëjmë take off-in drejt një Shqipërie të zhvilluar”, tha Çili.
Për sa i përket djegies së mandateve nga opozita, Çili theksoi se është dakord si akt i fundit për të shokuar demokracinë. Sipas tij kjo është mënyra që ka zgjedhur kreu i demokratëve.
“Jam dakord, si akti i fundit për ta shokuar sistemin politik. Rrugës fitorja e ngushtë e 25 Qershorit u bë e diskutueshme. Pse ndodhi kjo? Partnerët përgjuan disa grupe kriminale dhe na doli një gjë e caktuar, të cilën ne nuk kemi një sistem drejtësie funksional që të themi që kjo është kështu ose kështu. Atëherë çfarë ndodh? Cila është e keqja që palët të ritestohen në kushte neutrale. Ç’do të thotë kushte neutrale? Si funksion në Shqipëri industria elektorale, funksionon në mënyrë të tillë që na ka ardhur në majë të hundës. Implikim i administratës, shfrytëzimi i pozicionit, fushatat e legalizimeve, populizmi dhe erdhëm te lidhjet e qarta me krimin dhe kandidatët. Sikur kjo mos të mjaftonte, kjo nuk po ecën, ne nuk po bëjmë hap në integrim. Çfarë do themi në Qershor nëse do refuzohet prapë hapja e negociatave? Ka tre mënyra se si mund të përqasim një situatë me anë të profilaksisë, terapisë ose shokut. Lul Basha ka zgjedh shokun ta shokojë sistemin e demokracisë”, tha ai./abcnews.al