Fierza drejt “vdekjes”, dalin rrënojat e Kukësit të vjetër

schedule11:56 - 21 Mars, 2022

schedule 11:56 - 21 Mars, 2022

Vendi ynë po vuan pasoja e krizës energjitike. Edhe pse jemi një vend prodhues i energjisë, kjo varet nga moti për shkak se Shqipëria prodhon energji nëpërmjet hidrocentraleve. Thatësira ka bërë që në Liqenin e Fierzës të bie ndjeshëm, kjo ndikuar edhe nga nevoja për të prodhuar energji në kushtet aktuale ku ndodhemi.

Niveli i ujit aktualisht në liqenin e Fierzës është rreth 17 metra larg ‘pikës së vdekjes’. Ndërkohë sipas KESH, prurjet në Kaskadën e Fierzës janë më pak se 80 m3/s, ndërsa punohet me tre turbina.

Niveli i rënies së ujit është afruar pranë “pikës së vdekjes” që është 240 metra. Aktualisht niveli i ujit është 257, ose 17 metra larg pikës së vdekjes. Pika optimale në këtë liqen është 271 metër ndërsa pika maksimale kur ka reshje të bollshme shkon në 296 metër.

Ndërkohë, rënia e nivelit të ujit gradualisht po nxjerr në sipërfaqe edhe rrënojat e fshatrave dhe qytetit të vjetër të Kukësit.

Disa magazina që shërbenin në atë kohë për ndërmarrjet shtetërore, ura pranë Kullës së Lumes që lidhte dikur Kukësin me Prizrenin, por edhe copëza ndërtesash përqark qytetit të vjetër të Kukësit tashmë janë të dukshme.

Më këtë ritëm që ka rënia e nivelit të ujit, në pak ditë mund të kemi edhe rrënojat e Kukësit të vjetër i cili ndodhet i mbuluar nga uji në kupën e liqenit. Kukësi i vjetër u pa për herë të fundit në janar-shkurt të vitit 2006, në një tjetër krizë energjitike të vendit. /abcnews.al/