Përfaqësues të Parlamentit Europian deklarojnë se midis BE dhe Ballkanit po rritet hendeku dhe se sidomos në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi po bëhen hapa prapa.
Komisioni i punëve të jashtme të Parlamentit Europian dhe ai i lirive civile, drejtësisë dhe punëve të brendshme të Parlamentit Europian janë përshirë në një debat të detajuar mbi reformat e shtetit ligjor dhe të drejtave themelore në Ballkan. Drejtori për zgjerimin, Christian Danielsson, ka pranuar se ka hapa prapa në reformat e shtetit ligjor dhe të drejtave themelore në disa vende të Ballkanit.
Përfaqësuesit e botës akademike dhe shoqërisë civile kanë deklaruar, se liderët e Ballkanit kanë mësuar t’ia hedhin Bashkimit Europian me zbatimin e reformave në letër dhe mesazhet e mjegullta të Brukselit merren si inkurajim për mënyrën autokratike të qeverisjes në Ballkan.
Christian Danielsson, drejtor i përgjithshëm për zgjerimin, KE: “Ka një dëshirë nga qytetarët e Ballkanit, që duan të jetojnë në vende me prosperitet dhe me barazi, ku shteti ligjor është i fortë, ku korrupsioni të luftohet, ku sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur dhe ku ndryshimi demokratik të vijë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Dhe le të jemi të ndershëm. Është arritur një progres domethënës në reforma, por dhe në kapërcimin e trashëgimisë shkatërruese të luftës dhe konflikteve në Ballkan. Por asnjë nga vendet e Ballkanit nuk përmbush kriteret e anëtarësimit dhe në disa vende ne kemi parë fatkeqësisht stanjacion, apo siç u artikulua hapa prapa”.
Marko Kmezi, Qendra për studimet mbi Europën Juglindore, Graz: “Për disa vende të Ballkanit Perëndimor, këto hapa prapa kanë filluar menjëherë pas hapjes së negociatave të anëtarësimit. Rekomandimet për të ndryshuar situatën kanë të bëjnë së pari me monitorimin e plotësimit të kritereve dhe raportimin e tyre. Së dyti, përfshirjen të nxitjes dhe sanksioneve në kuadrin e financimit për vendet e Ballkanit kur bëhet fjalë për performancën lidhur me shtetin ligjor dhe së fundmi jo të kryhet një ushtrim teknokratik, por më shumë shoqëror të fokusuar në potencialin e vetë shoqërisë”.
Naim Rashiti, Qendra hulumtuese për politikat e Ballkanit: “Ka një rritje të hendekut midis Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit në kuptimin dhe pranimin e reformave të integrimit. Ky është një shqetësim serioz dhe kjo diferencë duket në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri. Në disa raste, zbatimi i reformave në letër vetëm i përkeqëson gjërat. Liderët e Ballkanit Perëndimor kanë mësuar se si t’ia hedhin Bashkimit Europian dhe në disa raste zyrtarët e BE-së e dinë që ua hedhin dhe përballen me vështirësi të axhendave politike që ndryshojnë prioritetet kundër standardeve të shtetit ligjor”.
Marko Kmezi, Qëndra për studimet mbi Europën Juglindore Graz: “Problemi i monitorimit nuk trajton shkaqet e deficencave të shtetit ligjor në Ballkan dhe mbi të gjitha mënyrën autokratike me të cilën qeverisen këto vende. “Burrat e fortë” të Ballkanit nuk kanë arsye pse të kryejnë reformat, por të ruajnë status-quo. Nga ana tjetër, mesazhet që vijnë nga Brukseli janë shpesh të mjegullta dhe mund të merren si inkurajim për “burrat e fortë ” të Ballkanit. Dhe në emër të stabilitetit, BE-ja po neglizhon devijimet në shtetin ligjor. Duhet merret si model raporti “Priebe” që u bë për problemet e shtetit ligjor në Maqedoni.
Christian Danielsson ka deklaruar, se mënyra e kryerjes së negociatave nuk mund të ndryshojnë çdo vit. Ai pranuar së mund të bëhet më shumë nga Komisioni Europian lidhur me diplomacinë publike dhe të qenurit më aktivë në terren për rrjedhojat e mosveprimit dhe të qënurit shumë të qartë kur ka devijim të shtetit ligjor./abcnews.al