Një nga arsyet e shpërthimit të protestave në Serbi, është dhe akuza ndaj presidentit serb Vuçiç, i cili sipas protestuesve nuk po mban një qëndrim të qartë rreth të ardhmes së vendit. Kjo sepse kreu i shtetit synon anëtarësimin në BE pa u shkëputur nga ndikimi i Moskës.
Dimri është drejt fundit, por protestat në shesh, në Serbi, që e kanë shoqëruar që nga fundi i muajit Nëntor, nuk kanë ndërmend të ndalen. Me dhjetëra mijëra persona vazhdojnë të manifestojnë, jo vetëm në rrugët e kryeqytetit serb, kundër censurës, shkeljes së të drejtave, korrupsionit dhe nepotizimit. Objektivi kryesor i protestave është presidenti Aleksandër Vuçiç, fajtor, sipas manifestuesve se shtyp duke përdorur madje dhe dhunën, pakënaqësinë në popull, duke mbajtur një qëndrim jo të qartë për sa i përket të ardhmes së vendit. Edhe pse deklaron se mbështet anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian ai nuk ka prerë asnjëherë lidhjen e fortë që lidh Beogradin dhe Moskën.
Protestuesit kundërshtojnë dhe dhunën e përdorur ndaj përfaqësuesve e të opozitës si në rastin e Borko Stefanoviç i cili u rrah brutalisht nga katër persona të maskuar në protestën e 23 nëntorit të një viti më parë. Por gjithashtu kërkohet dhe zbardhja e vrasjes së Oliver Ivanoviç, i ekzekutuar teksa shkonte në selinë e partisë së tij në veri të Mitrovicës. Nga manifestime kundër dhunës së përdorur ndaj opozitës, portestat nga Beogradi u shtrinë në qytete të tjera duke u profilizuar si anti-qeveritare, dhe duke mos kursyer as ministrin e brendshëm, Nebojša Stefanovic, apo kryeministren Ana Brnabić. Por cdo kritikë e zemërim përqendrohet ndaj Vuçiç i cili akuzohet si përgjegjësi kryesor i shkeljeve të të drejtave të opozitës; ai akuzohet dhe se nuk lufton korrupsionin dhe nepotizmin, se ka dobësuar shtetin e mbështetur partitokracinë.
Protestat arritën kulmin në 16 mars, kur një grup manifestuesish u mblodhën përreth ndërtesës së televizionit publik serb, duke hyrë dhe në studio e tij, me qëllimin për tiu drejtuar me një fjalim popullit serb. Një grup tjetër manifestuesish rrethuan presidencën për të ndaluar kreun e shtetit Vuçiç që të largohej.
Në drejtim të protestave janë emra të njohur të politikës si për shembull, lideri i partisë së ekstremit të djathtë nacionalist, Dveri, Boško Obradoviç, ish-kryebashkiaku i Beogradit, Dragan Djilash, dhe ish presidenti I asamblesë së përgjithshme të kombeve të bashkuara Vuk Jeremiç. Por Vuçiç vijon të refuzojë çdo lloj mundësie për të dialoguar me manifestuesit apo përfaqësuesit e tyre. Ai u shpreh se fashisti Obradović dhe miliarderët Jeremić e Djilash janë nervozë dhe kërkojnë të kthehen në pushtet për të grabitur sërish vendin.
Në shesh ku kanë zbritur sidomos student universiteti dhe përfaqësues të shtresës së mesme, është e vështirë të gjendet një unitet politik. Ajo që bën bashkë manifestuesit është sidomos kundërshtimi ndaj qeverisë aktuale dhe presidentit Vuçiç, lider i partisë progresiste serbe i cili drejton shtetin që nga viti 2012.
Në shesh protestojnë përfaqësues të krahut liberal, socialdemokratë, e djathta nacionaliste filoruse e cila kundërshton planet për afrimin ndaj Bashkimit Ruropian, popullorë dhe përfaqësues të shumë realiteteve të ndryshme
Mes kushteve të panegociueshme të vendosura Beogradit ndaj Brukselit, është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Nga njëra anë Vuçiç duhet të përpiqet të mbështesë dialogun me qeverinë e Prishtinës, nga ana tjetër duhet të ruajë mbështetjen e bashkëkombësve të tij që jetojnë në Kosovë. Në Veri të lumit Ibër që ndan Mitrovicën, qytet simbol i përplasjes etnike në vend, dhe në enklavat e vogla serbe të shpërndara nëpër Kosovë, vendi konsiderohet ende pronë e Beogradit, duke përdorur ende emrin Kosova e Metohi.
Pranimi I institucioneve të Prishtinës nga ana e presidentit të Serbisë Vuçiç dhe lëshimi gradual ndaj kërkesave të Bashkimit Evropian do të nënkuptonte humbjen e mbështetjes së popullit dhe përplasje me vullnetin e Moskës dhe krahut nacionalist të popullsisë serbe./abcnews.al