Përplasi një makinë dhe u largua, arrestohet polici i dehur në Vlorë

schedule14:04 - 19 Mars, 2022

schedule 14:04 - 19 Mars, 2022

Një punonjës policie në Vlorë ka shkaktuar një aksident dhe është larguar nga vendi ngjarjes. Menjëherë më pas ai është arrestuar nga uniformat blu. Siç bëhet me dije në njoftimin për shtyp polici ka qenë duke drejtuar makinën në gjendje të dehur.

Njoftimi i policisë:

Më datë 18.03.2022, Drejtoria Rajonale e AMP Vlorë ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë në Komisariatin e Policisë Vlorë, Nënkomisar M.S., për “Mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë”, “ Largim nga vendi i aksidentit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Arrestimi u krye pasi punonjësi i policisë, duke drejtuar automjetin me targa AB 811 CE në gjendje të dehur, ka goditur një automjet duke i shkaktuar dëme materiale dhe është larguar nga vendi i ngjarjes duke braktisur edhe mjetin e tij. Gjithashtu, ai ka kundërshtuar edhe punonjësit e policisë të Seksionit “Shqiponja” gjatë shoqërimit të tij.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, nga ana e specialistëve të Drejtorisë Rajonale të AMP Vlorë janë kryer veprimet proceduriale duke kryer arrestimin në flagrancë të Nënkomisar M. S., me detyrë Specialist për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë, për kryerjen e veprave penale parashikuar nga nenet 242, 273 dhe 291 të Kodit Penal.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

/abcnews.al