Lufta në Ukrainë favorizon organizatat kriminale, eksperti: Mund të lulëzojë trafiku i organeve dhe armëve

schedule13:59 - 18 Mars, 2022

schedule 13:59 - 18 Mars, 2022

Bota është trazuar nga lufta që po zhvillohet prej tre javësh në Ukrainë. Eksperti i sigurisë Fabian Zhilla i ftuar në studion e ABC Live këtë të premte ka komentuar pasojat që mund të sjellë lufta në mbarë botën kryesisht për lulëzimin e grupeve kriminale.

Zhilla në fjalën e tij ka theksuar se lufta mund të krijojë një terren të favorshëm për grupet kriminale në trafikimin e organeve, të lëndëve narkotike dhe të lëndëve narkotike, ndaj ai shpreson që një gjë e tillë të marrë fund sa më shpejt.

“Situata e fundit në lidhje me refugjatët ukrainas dhe çmimet  heqin vëmendjen nga krimi organizuar ndaj dhe ky është një favor për anëtarët e krimit të organizuar ku nuk është në vëmendje të shteti.

Lufta prodhon edhe trafik organesh, pasi tashmë është e vështirë që të kontrollohen spitalet dhe klinikat sidomos në kufi. Këto janë shkak për favorin që i krijohet krimit të organizuar. Trafiku i armëve nukleare dhe i shkatërrimit në masë është një tjetër hap që merr vrull. Ukraina është një vend që ka krijuar armë bërthamore që mundtë ndihmojë në hapjen e kanaleve të tilla.

Nëse do të vijojë lufta do të lulëzojë dhe krimi i organizuar por shpresojmë që javën e ardhshëm të arrihet një marrëveshja dhe në këtë drejtim do të kemi më shumë një krim ekonomik sesa kriminal. Por nëse lufta do të vijojë do të kemi rritje të kriminalitetit në shumë fusha si në atë të prostitucionit, trafikut të armëve dhe të narkotikëve”, ka thënë  Zhilla.

Ndër të tjera ai ka theksuar se në këtë situatë grupet kriminale shqiptare nuk kanë shumë hapësirë pasi shumica e tyre veprojnë në pjesën tjetër të Evropës dhe jo në vendet përreth Ukrainës.

“Në këtë situatë dhe grupet kriminale shqiptare do të përfshihen në kontrabanda të ndryshme. Në Poloni, Bullgari dhe Hungari grupet shqiptare nuk janë shumë funksional, dhe nuk shikoj se do të ketë një përfshirje të madhe por nëse do të vijojë lufta do të ketë një përfshirje të grupeve shqiptare në trafikun e organeve apo të narkotikëve”, është shprehur ndër të tjera ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!