Lionel Mesi detyroi tifozët kundërshtarë që të brohorisnin emrin e tij, pas paraqitjes në fushën e Betisit. Ylli i Barcelonës po shkon drejt titullit të 10-të kampion në Spanjë.
Nuk mund të mbetej prapa legjendave.
Lionel Mesi u brohorit nga publiku kundërshtar, njëlloj si dikur Ronaldinjo në “Bernabeu” dhe Kristiano Ronaldo në stadiumin e Juventusit.
Qindra e mijëra tifozë të Betisit u ngritën në këmbë, rrahën shuplakat dhe thirrën në kor emrin e tij, pas golit të tretë personal në portën e skuadrës së tyre të zemrës.
Barcelona fitoi 4-1 me tre rrjeta të kapitenit, dhe u shkëput në 10 pikë nga ndjekësi më i afërt në kampionat, Atletiko e Madridit.
“Tre realizime të ndryshme, marshim për Këpucën e Artë në Spanjë dhe në Europë, cili është limiti i tij”, pyet gazeta “Marka” e Madridit.
“La Liga tani nuk ka më asnjë rëndësi, për faj të Mesit”, vazhdoi gazeta madrilene.
“Mesi nuk ka limite dhe rivalë, – ishin komentet e mëtejshme të saj, duke shtuar se “Mesi gëlltiti një tjetër ligë”.
“I falenderoj shumë tifozët e Betisit, – tha numri 10 pas ndeshjes, – kurrë ndonjë tifozeri kundërshtare nuk më ka brohoritur në këtë mënyrë, por këtu na presin gjithnjë shumë mirë, edhe pse jemi rivalë. Mendoj se luajtëm një ndeshje perfekte, nuk mund të gabonim pas humbjes së Atletikos, por duhet të vazhdojmë kështu”.
Argjentinasi iu afrua shifrës së 600 golave me Barçën, duke pasur saktësisht 591, ndërsa ka arritur në 39 rrjeta këtë sezon.
Me 29 gola në 26 takime në La Liga, kapiteni i Barçës shkon drejt Topit të Artë në Spanjë si dhe Topi të Artë në Europë, duke e lënë pak më mbrapa rivalin e vetëm, Kilian Mbapenë.
Leo iu përgjigj trigolëshit të Kristianos (në Champions), dhe tani ka 51 trigolësha në karrierë, ndaj 52 të Ronaldos.
Gazetat e Barcelonës, s’mund të shkruanin ndryshe.
“El Mundo Deportivo”: Një Barçë për notën 10! Ovacion në “Vijamarin” për Mesin!
“Sport”: Liga e ka një pronar! Mesi i jep fund garës me spektaklin në “Vijamarin” që brohoriti në fund yllin argjentinas!
Lojtari më i mirë i botës është në prag të titullit të 10-të kampion në karrierë, që të gjithë me Barcelonën, për të synuar rekordin absolut në Spanjë, të Fransisko Gentos me 12./abcnews.al