Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Rey Manaj është shndërruar në një lojtar të rëndësishëm për Spezian, pasi paraqitjet e fundit të tij kanë ndihmuar skuadrën të marrë rezultate pozitive.
Edhe në fundjavën e kaluar, Manaj arriti të gjente rrugën e rrjetës dhe të ishte protagonist kryesor në fitoren e skuadrës kundër Cagliarit, takim i fituar me shifrat 2-0.
Takimin e radhës skuadra e Manajt do e zhvillojë me Sassuolon dhe për të folur për këtë takim në konferencën për shtyp ishte i pranishëm trajneri i Spezias, Thiago Motta, i cili nuk nguroi të thurte elozhe për sulmuesin shqiptar.
“Gjithçka ka bërë deri më tani është meritë e tij. Në fillim luante pak, më pas filloi të luante shumë falë punës së tij.
Ai është një djalë që mund të jetë protagonist që në fillim dhe gjatë lojës, sikurse ndodhi kundër Cagliari. Duhet të vazhdojë kështu”, shprehet Motta. /f.a/abcnews.al