Pavarësisht zhvillimeve në Ukrainë dhe thirrjeve në drejtim të Madridit zyrtar për njohjen e pavarësisë së Kosovës, Spanja thotë se vazhdon ta mbajë qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës shtet. Kështu kanë thënë ekskluzivisht për Gazetën Express nga Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës, të pyetur lidhur me këtë çështje, pas letrës që kongresmeni amerikan, Ritchie Torres, iu ka nisur institucioneve spanjolle me kërkesën për ta njohur Kosovën.
Republika e Kosovës dhe Bosnje e Hercegovina kanë qenë dy shtetet e para që janë përmendur si target i mundshëm i Rusisë për destabilizim të Ballkanit Perëndimor pas luftës që Vladimir Putin ka nisur në Ukrainë. Një paralajmërim për një rrezik të tillë ka alarmuar Perëndimin, por edhe institucionet në Prishtinë. Nga Kosova dhe SHBA-ja po kërkohet njohja nga pesëshja e BE-së, derisa Kosova po kërkon edhe integrim të përshpejtuar në BE dhe gjithashtu anëtarësim edhe në NATO, meqë një anëtarësim i Kosovës në BE dhe NATO do t’i kontribuonte vendosjes së paqes afatgjate në rajon.
Por, pengesa kryesore për anëtarësim në institucionet e lartpërmendura mbesin shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës e që janë anëtare edhe në BE dhe NATO.
Një nga këto shtete është edhe Spanja, e cila pavarësisht ngjarjeve në Ukrainë dhe kërkesës që më 15 mars i është bërë nga kongresmeni amerikan, Ritchie Torres, qëndrimin për pavarësinë e Kosovës nuk ka ndërmend ta ndryshojë.
Kështu kanë thënë ekskluzivisht në një përgjigje për Gazetën Express nga Ministria e Jashtme e Spanjës.
“Në përgjigje të pyetjes suaj specifike, Zyra për Informim e Diplomacisë Spanjolle s’ka asgjë për të thënë. Spanja vazhdon të mbajë qëndrimin mosnjohës ndaj deklarimit të një anshëm të pavarësisë që është miratuar nga Prishtina në vitin 2008”, kanë thënë në një përgjigje për Gazetën Express.
Megjithatë nga Madridi zyrtar thonë se në çdo rast qasja e Spanjës do të jetë shumë konstruktive dhe se përkrahin dialogun dhe arritjen e një marrëveshje në mes të Prishtinës dhe Beogradi.
“Në çdo rast, qasja jonë është shumë konstruktive dhe ne qëndrojmë për dialog dhe marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, kanë theksuar për Gazetën Express nga MPJ e Spanjës.
Kosovës në kërkesën për njohjen nga pesëshja e BE-së i është bashkuar edhe kongresmeni amerikan, Ritchie Torres, i cili i ka dërguar një letër zyrtare ambasadorit të Spanjës në Washington duke i kërkuar fuqishëm që Madridi zyrtar ta konsiderojë ndryshimin e qëndrimit karshi Kosovës dhe anëtarësimit të shtetit në BE.
“Që nga viti 2008, Kosova ka punuar pa u lodhur me aleatët e saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për të vendosur reforma të forta politike dhe ekonomike që do ta shtyjnë atë të ketë sukses. Kosova ka nevojë urgjente për mbështetjen e vendit tuaj për të vazhduar përpara rrugën e saj drejt suksesit dhe stabilitetit afatgjatë. Ju nxis fuqimisht që të rishqyrtoni qëndrimin e kombit tuaj për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe mirëpresim mundësinë për të diskutuar këtë temë me ju”, thuhet në letrën që Torres ka shkruar.
Përveç Spanjës, Torres u ka shkruar letër edhe Greqisë – që pavarësisht progresit që është bërë viteve të fundit vazhdon të mos e njohë Kosovën – Sllovakisë, Qipros dhe Rumanisë.
Agresioni rus në Ukrainë ka nxitur institucionet e Kosovës që të kërkojnë anëtarësim të përshpejtuar në Bashkimin Evropian, megjithatë këta të fundit kanë theksuar qartë se pavarësisht asaj se çfarë po ndodhë në Ukrainë, asgjë s’ka ndryshuar me procesin e zgjerimit dhe se Kosova fillimisht duhet të bëjë progres në dialogun me Serbinë, për të marrë më pas statusin e vendit kandidat e për të vazhduar me hapat tjerë për anëtarësim në BE.
Kryeministri Albin Kurti, kur ka folur për synimet e Kosovës për anëtarësim, ka thënë që hyrja në NATO duket më e lehtë sesa në Bashkim Evropian, meqë në NATO janë vetëm katër shtete jonjohëse derisa në Bashkimin Evropian janë pesë të tilla./Express