Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg këtë të enjte ka reaguar sërish për gjendjen e krijuar nga pushtimi rus në Ukrainë.
Në një konferencë të përbashkët me kancelarin gjerman Olaf Scholz, në Berlin ai ka theksuar se lufta e Presidentit Putin kundër Ukrainës ka shkatërruar paqen në botë. Stoltenberg ka nderuar forcat e Kievit dhe ka theksuar se nuk do të ndalet mbështetja për to.
“Lufta e Presidentit Putin kundër Ukrainës ka shkatërruar paqen dhe ka tronditur botën”, ka thënë ai.
Ndër të tjera ai ka shprehur mirënjohje Gjermanisë për mbështetjen e saj ushtarake dhe humanitare ndaj Ukrainës, dhe ndërsa vuri në dukje se NATO ka një përgjegjësi për të parandaluar që kjo luftë të përshkallëzohet më tej.
Ndërkohë ai paralajmëroi anëtarët e bllokut të sigurisë se nuk mund ta marrim paqen dhe sigurinë si të mirëqenë.
“Dje, ministrat e mbrojtjes filluan të konsiderojnë se çfarë duhet të bëjmë për të përforcuar mbrojtjen dhe parandalimin tonë për një afat më të gjatë. Kjo do të kërkojë rritje të mëdha të investimeve në mbrojtje,” tha Stoltenberg./abcnews.al