Me ardhjen e pranverës vjen dhe nevoja për të bërë disa ndryshime në shtëpi. Arkitektët Agisa Xhemalaj dhe Donald Lutaj ishin të ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku ndanë disa këshilla për të gjithë ata që duan të sjellin pranverën në shtëpi.
Agisa dhe Donaldi theksuan se duhet filluar nga heqja e tapetave dhe perdeve të rënda duke i zëvendësuar me materiale që e lënë shtëpinë të “marrë frymë”.“Duhet të fillojmë dhe të heqim disa gjëra nga ambienti. Në pranverë zakonisht heqim tapetat, perdet e trasha dhe të përdorim material lino.
Duhet të përdorim dekore me gjelbërim apo lule natyrale. Nëse kemi mundësi mund të ndryshojmë dhe ngjyrën e murit. Këtë vit sugjerohen ngjyra jeshile e errët apo lejla. Nëse nuk e realizojmë nëpër mure, mund t’i përdorim këto ngjyra në elementë dekori si vazo, jastëkë etj.”, tha Donaldi.
Agisa tha se nuk duhen përdorur më shumë se dy ngjyra në mure. Më tej ajo theksoi se një element i rëndësishëm janë dhe dekoret me gjelbërim apo përdorimi i luleve natyrale. Për ata që nuk kanë mundësi që të kujdesen shumë për lulet, mund të përdorin bimë që nuk kërkojnë shumë impenjim si kaktusi. /abcnews.al

