Xi Jinping mund ta ndalojë luftën e Putinit në Ukrainë. A do ta bëjë këtë?

schedule10:25 - 17 Mars, 2022

schedule 10:25 - 17 Mars, 2022

Nga Hu Wei “New Statesman

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Lufta ruso-ukrainase është konflikti gjeopolitik më i rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe ka arritur të sjellë pasoja globale shumë më të mëdha se sulmet e 11 Shtatorit. Në këtë rast duhen marrë parasysh disa skenarë.

Së pari, Vladimir Putin mund të mos jetë në gjendje të arrijë synimet që priste, gjë që e vendos Rusinë në një pozitë shumë delikate. Blitzkrieg-u dështoi dhe Rusia nuk është në gjendje të përballojë një luftë të zgjatur dhe kostot e larta të lidhura me të.

Edhe nisja e një lufte bërthamore do ta vendoste Rusinë në anën e kundërt të të gjithë botës, dhe për këtë arsye do të ishte e pafitueshme. Situatat brenda dhe jashtë vendit janë gjithashtu gjithnjë e më të pafavorshme për Moskën.

Edhe nëse ushtria ruse do të arrinte ta pushtonte kryeqytetin e Ukrainës, Kievin, dhe do të krijonte atje një qeveri kukull me kosto të larta, ajo s’do të ishte një fitore përfundimtare. Në këtë pikë, alternativa më e mirë e Putinit është t’i japë fund luftës në mënyrë të denjë përmes bisedimeve të paqes, gjë që kërkon nga Ukraina të bëjë disa lëshime thelbësore.

Por konflikti mund të përshkallëzohet edhe më tej, dhe nuk mund të përjashtohet përfshirja eventuale e Perëndimit në të. Ndonëse ky skenar do të ishte i kushtueshëm, ka një probabilitet të lartë që Putin nuk do të dorëzohet lehtë, duke pasur parasysh karakterin dhe fuqinë e tij.

Lufta ruso-ukrainase mund të përshkallëzohet përtej Ukrainës, dhe madje të përfshijë mundësinë e një sulmi bërthamor. Por SHBA-ja dhe Evropa nuk mund të qëndrojnë duarkryq. Rezultati do të ishte një katastrofë për njerëzimin dhe një përballje e ashpër SHBA-Rusi.

Duke pasur parasysh faktin se fuqia ushtarake e Rusisë nuk mund të krahasohet me atë të NATO-s, pasojat do të ishin edhe më të rënda për Putinin. Së treti edhe nëse Rusia arrin ta pushtojë Ukrainën, ajo do të mbetej një vatër e nxehtë e rezistencës guerile.

Rusia më pas do të mbante një barrë të rëndë dhe në fund do të dërrmohej. Në rrethana të tilla, pavarësisht nëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, do të ishte apo jo gjallë, Ukraina ka shumë të ngjarë të krijojë një qeveri në mërgim për t’u përballur me Rusinë në terma afatgjatë.

Së katërti, situata politike në Rusi mund të ndryshojë edhe për shkak të ndikimit të Perëndimit. Nëse Putin do të rrëzohej nga pushteti për shkak të një rebelimi popullor, grushtit të shtetit apo një arsye tjetër, Rusia do të kishte edhe më pak gjasa të përballej me Perëndimin.

Ajo me siguri do t’i nënshtrohej Perëndimit, apo edhe do të copëtohej më tej, dhe do t’i vinte fundi statusit të Rusisë si një fuqi e madhe. Në atë pikë Shtetet e Bashkuara do të rifitonin lidershipin në botën perëndimore, dhe Perëndimi do të bëhej më i bashkuar.

Ndërkohë do të ngrihej sërish “Perdja e Hekurt”, jo vetëm nga Deti Baltik deri në Detin e Zi, por edhe në përballjen përfundimtare mes kampit të dominuar nga perëndimi dhe rivalëve të tij. Perëndimi do të vendosë kufirin midis demokracive dhe shteteve autoritare, duke e përcaktuar ndarjen me Rusinë si një luftë midis demokracisë dhe diktaturës.

Fuqia e Perëndimit do të rritej ndjeshëm, NATO do të vazhdonte të zgjerohet dhe do të rritej ndikimi i SHBA-së në botën joperëndimore. Ndërkohë Kina do të bëhet më e izoluar. Për këto arsye, në rast se Pekini nuk merr masa pro-aktive për të reaguar, ajo do të përballet me një kontroll të mëtejshëm nga SHBA-ja dhe Perëndimi.

Kur të bjerë Putini, SHBA-ja nuk do të përballet më me dy konkurrentë strategjikë, por vetëm më Kinën. Evropa do të distancohej akoma më tej nga Kina; Japonia do të bëhet pararoja kundër Kinës. Kina që do të rrethohet jo vetëm ushtarakisht nga SHBA-ja, NATO-ja dhe AUKUS, por gjithashtu do të sfidohej nga vlerat dhe sistemet perëndimore.

Në këto kushte, gjykoj se Pekini ka në dispozicion 4 mundësi. Së pari, Kina nuk mund ta lidhë veten me fatin e Putinin, dhe lidhja e ngushtë me këtë të fundit duhet të ndërpritet sa më shpejt që të jetë e mundur. Të qenit në të njëjtën barkë me Putinin, do të ndikojë shumë tek Kina, nëse ai do ta humbasë pushtetin.

Ligji i politikës ndërkombëtare thotë se “nuk ka aleatë të përjetshëm, por as armiq të përjetshëm”, por “të përjetshme janë interesat tona”. Në rrethanat aktuale ndërkombëtare, Kina mund të vazhdojë të mbrojë interesat e saj më të mira, duke zgjedhur të keqen më të vogël nga dy të këqijat, dhe duhet të distancohet sa më shpejt nga Rusia e Putinit. Aktualisht vlerësohet se ka ende 1 ose 12 javë kohë, përpara se Pekini ta humbasë hapësirën e tij të manovrimit.

Së dyti, Kina duhet të shmangë lojën me dy porta, të heqë dorë nga të qenit neutrale, dhe të zgjedhë pozicionin e lideres në botë. Aktualisht, Kina është përpjekur të mos fyejë asnjërën palë, dhe ka zgjedhur një rrugë të mesme në deklaratat dhe zgjedhjet e saj ndërkombëtare, përfshirë abstenimin nga votimi në Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Por ky pozicion nuk i plotëson nevojat e Rusisë, dhe e ka zemëruar Ukrainën dhe mbështetësit e saj në skenën ndërkombëtare, duke e vendosur Kinën në anën e gabuar në raport me pjesën më të madhe të botës.

Në disa raste, neutraliteti është një zgjedhje e arsyeshme, por nuk vlen për këtë luftë, ku Kina nuk ka asgjë për të fituar. Duke qenë se Kina e ka mbrojtur gjithmonë respektin për sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial, ajo mund të shmangë izolimin e mëtejshëm vetëm duke qëndruar në krah të shumicës së vendeve të botës.

Së treti, Kina duhet të arrijë përparimin më të madh të mundshëm strategjik, dhe të mos izolohet më tej nga Perëndimi. Shkëputja nga Putin dhe heqja dorë nga neutraliteti, do të ndihmojë në ndërtimin e imazhit ndërkombëtar të Kinës dhe në përmirësimin e marrëdhënieve të saj me SHBA-në dhe Perëndimin.

Së fundmi, Kina duhet të parandalojë shpërthimin e luftërave botërore dhe ato bërthamore, dhe të japë kontribute të pazëvendësueshme për paqen globale. Ndërsa Putini i ka kërkuar në mënyrë të hapur forcave parandaluese strategjike të Rusisë që të hyjnë në një gjendje të gatishmërisë speciale luftarake, lufta ruso-ukrainase mund të dalë jashtë kontrollit.

Një kauzë e drejtë tërheq shumë mbështetje; ndërsa një e padrejtë gjen pak përkrahje. Nëse Rusia nxit një luftë botërore apo edhe një luftë bërthamore, ajo me siguri do të rrezikojë të shkaktojë trazira.

Për të treguar rolin e Kinës si një fuqi e madhe dhe e përgjegjshme, Kina jo vetëm që nuk mund të qëndrojë në aleancë me Putinin, por gjithashtu duhet të ndërmarrë veprime konkrete për të parandaluar aventurat e mundshme të Putinit.

Kina është i vetmi vend në botë me këtë aftësi, dhe duhet ta shfrytëzojë këtë avantazh unik. Fundi i mbështetjes së Kinës për Rusinë, ka shumë të ngjarë t’i japë fund luftës në Ukrainë, ose të paktën Putin nuk do të guxonte ta përshkallëzonte luftën.

*Marrë me shkurtime

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!