Kërkesës së grupit parlamentar të PD të cilët janë shprehur se zgjidhja e krizës në parti është tërheqja e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës për t’i hapur rrugën bashkimit të demokratëve, pas liderit aktual të partisë, i është përgjigjur dhe ish lideri i saj. Nga Elbasani ish-kryeministri Berisha i pyetur nëse është gati të sakrifikohet për ideal të PD, ai e quajti këtë një përpjekje për të stisur një përballje sipas tij mes votës së lirë dhe blofit, por si përgjigje tha se do t’u lënë blofin në dorë. Kjo ishte përgjigjia e Berishës, i cili nuk dha asnjë sqarim më tej për këtë deklaratë.
“S’po mbroj gjë tjetër veç votës së lirë. Ka një përpjekje për të stisur një përballje mes votës së lirë dhe blofit por atyre që e bëjnë këtë do t’u lëmë blofin në dorë”, tha Berisha.
Mesazhi i vetëm që kishte ishte bashkimi i demokratëve. “Kjo do jetë pranverë e përpjekjeve të mëdha të demokracisë dhe mesazhi më i shkëlqyer është bashkimi i demokratëve dhe votës së lirë”, shtoi ish-kryeministri.
Në urimin e tij për qytetarët Berisha tha se e shikon ditën e verës si ditën e ndryshimeve të mëdha dhe të lulëzimit.
“Uroj mbarë shqiptarët festa e ditës së verës është festa e shndërrimeve të mëdha, e Lulëzimit e shpërthimit të burimeve e çeljes së gjithçkaje të mirë. Në këtë kontekst uroj që për shqiptarët kjo ditë të sjellë ndërrimin e madh që ata presin ndërrimit te narkoshtetit dhe vendosjen e shtetit ligjor. Falenderim kam për ata që kanë mbushur rrugët e sheshet e vendit për të kundërshtuar kundër një politike të pashpirt e cila përdor hijet e luftës, si skuzë si falje. Për të justifikuar rritjen dramatike të pajustifikuar të çmimeve dhe produkteve më jetike të qytetarëve shqiptarë. Gëzuar këtë ditë për mbarë qytetarët”, tha më tej ish-kryeministri.
Pasi vetë Basha deklaroi publikisht se ofrohet në dispozicion të zgjidhjes se krizës ne PD, edhe drejtuesit e degëve të PD në qarqe, ecin me ritmin e kryetarit. Ndryshe nga deklaratat në mbledhjen e zhvilluar dy ditë pas humbjes së zgjedhjeve te pjesshme, në takimin e mbajtur këtë të diel, disa prej tyre shprehën qëndrimin se edhe Basha duhet bëjë një hap pas. Sipas burimeve nga mbledhja, Basha nuk e artikuloi sërish dorëheqjen e tij pa kushte.
be.k/abcnews.al