E premtja është një ditë marshimi për studentët në të gjithë botën, të cilët kanë braktisur auditorët për të manifestuar në mbrojtje të ambientit dhe kundër ndryshimeve klimatike.
Studentë në të gjithë botën, ditën e premte kanë lënë auditoret për të manifestuar në mbështetje të betejës ambientaliste të aktivistes 16-vjeçare suedeze Greta Thunberg. Për të është propozuar dhe çmimi Nobel për paqe. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës protesta është dhe një sfidë për presidentin Trump pas largimit të tij nga marrëveshja e Parisit për klimën.
Në Milano ishin katër mijë studentët e mbledhur për të marshuar në mbrojtje të ambientit, duke thënë se ata që qeverisin u kanë lejuar pak njerëzve të pasurohen duke ndotur ambientin. Aktivistja 16-vjeçare u shpreh se nuk kërkonte më shpresa, por veprime reale. Sipas saj, alarmi i shkencëtarëve duhet marrë seriozisht sepse politikanët dhe pse janë në dijeni të situatës e kanë lënë të ardhmen në duart e përfituese, dëshira e të cilëve për pasuri rrezikon ekzistencën njerëzore.
Në nivel europian, presioni i të rinjve ka një objektiv të drejtpërdrejtë në lidhje me liderët e Bashkimit Europian që do të mblidhen në samitin e Brukselit në datat 21 dhe 22 Mars, ku në axhendë është pikërisht lufta ndaj ndryshimeve klimatike. Një tjetër takim i rëndësishëm ndërkombëtar, ndaj të cilit janë përqendruar manifestuesit është dhe samiti i ardhshëm në OKB për klimën, në muajin Shtator, ku të gjithë vendet e botës duhet të prezantojnë planet e tyre për të luftuar ngrohjen globale./abcnews.al