Meta pritet nga Presidenti i Azerbajxhanit

schedule09:54 - 15 Mars, 2019

schedule 09:54 - 15 Mars, 2019

Presidenti i Republikës Ilir Meta, gjatë vizitës së tij zyrtare në Baku u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit Ilham Aliyev. Përveç bashkëpunimit në fushën e gazifikimit dhe atë të turizmit, kryetari i shtetit kërkoi edhe heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

Falenderimet për bashkëpunimin ishin kryefjalë e takimit të Presidenti Ilir Meta me homologun e Azerbajxhanit Ilham Aliyev. Në tryezën e bisedimeve në Baku, kreu i shtetit shqiptar i paraqiti edhe disa kërkesa.

Zbatimi i suksesshëm i projektit TAP hap mundësi të reja bashkëpunimi, duke përfshirë edhe procesin e ardhshëm të gazifikimit të Shqipërisë bën me dije zyra e shtypit e presidencës.

Presidentët Meta e Aliyev, vlerësuan me shumë interes bashkëpunimin në fushën e turizmit, mundësitë për rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve dhe nxitjen e takimeve mes dhomave përkatëse të tregtisë.

Presidenti i Republikës kërkoi gjithashtu që të shihej mundësia e heqjes së vizave nga Azerbajxhani për qytetarët shqiptarë, duke nënvizuar se kjo do të lehtësonte lëvizjet dhe kontaktet e drejtpërdrejta mes qytetarëve të të dy vendeve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!