Pas ndërtimit të Pediatrisë së re në QSUT për shërbimin e urgjencës, reanimacionit dhe kirurgjisë, ka nisur puna për rehabilitimin e një tjetër godine të shërbimit pediatrik, Pediatrisë Infektive, e cila u dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar punimet që po kryhen për rehabilitimin e kësaj godine, ku theksoi se do të vijojë puna për përfundimin e plotë të projektit madhor të pediatrisë së QSUT.
“Ne kemi filluar një rehabilitim pjesor të godinës infektive, këtu ku kanë qenë dhe ish ambientet e urgjencës. Besoj që do t’i japim një organizim të ri edhe si shërbime. Sepse tashmë zgjerohemi në hapësira, por mbi të gjitha, do ta kthejmë në standardet më të mira, duke qenë se Pediatria Infektive pati edhe disa dëmtime nga tërmeti”, tha Manastirliu.
Gjatë inspektimit të punimeve, Manastirliu tha se pas fazës së parë të projektit të rehabilitimit të Pediatrisë, që u finalizua me Spitalin e ri Pediatrik të Urgjencës, Reanimacionit dhe Kirurgjisë Infantile, së shpejti do të vazhdojë faza e dytë e projektit të Pediatrisë Qendrore.
“Po vazhdojmë fazën e dytë të projektit të Pediatrisë Qendrore, ku shumë shpejt do të kemi edhe një finalizim dhe hapje të kantierit në atë godinë. Edhe aty do të kemi një riorganizim të shërbimit pediatrik, zgjerim të kapaciteteve, të hapësirave ashtu sikurse bëmë me fazën e parë ku tashmë çdo gjë shkon mirë në raport me punën në shërbimin e urgjencës, të reanimacionit dhe të kirurgjisë”, tha Manastirliu.
Investimi në kompleksin pediatrik në QSUT do të vijojë edhe me rehabilitimin e godinës ekzistuese dhe në total për dy fazat e projektit, vlera e financimit është 15 milion euro.