Komisioni i Rithemelimit të PD i kryesuar nga ish-kryeministri Sali Berisha ka vendosur që të shtyjë zhvillimin e Kuvendit Kombëtar në datën 30 prill. Përmes një njoftimi bëhet me dije se në mbledhjen e sotme u bë një analizë e zhvillimeve politike si dhe e zgjedhjeve të pjesshme lokale të zhvilluara në 6 bashkitë e vendit. “Komisioni falenderon kandidatët e Shtëpisë së Lirisë dhe të gjithë zgjedhësit e 6 bashkive për garën e dinjitoze dhe performancën e mirë në këto zgjedhje lokale“, thuhet në njoftim.
Në këtë mbledhje, Komisioni i Rithemelimit njofton gjithashtu se ka vendosur:
-Të zhvillojë me prioritet analizën e rezultateve zgjedhore në 6 bashkitë ku u zhvilluan zgjedhjet lokale,
-Te nisë procesin statutor te riorganizimit të strukturave të degëve në këto bashki, proces i frenuar për shkak te këtyre zgjedhjeve,
-Të vazhdojë dhe të permbyllë procesin statutor në degët tjera konform udhëzimeve.
“Për arsyet e sipërpërmendura, në mënyrë që gjithë ky proces te përfundojë me sukses, Komisioni i Rithemelimit të PD vendosi që të shtyjë mbajtjen e Kuvendit Kombëtar në datën 30 prill”, përmbyllet njoftimi. Kujtojmë se “Shtëpia e Lirisë” në zgjedhjet e 6 marsit ka fituar vetëm bashkinë e Shkodrës lënë pas PD zyrtare. 5 bashkitë e tjera u fituan nga PS.
/abcnews.al