Nga Erisa Zykaj
Kërkesa zyrtare e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Europian do të jetë në axhendën e 27 liderëve të kësaj organizate, të cilët mblidhen në një samit informal në Versailles (Francë) në 10 dhe 11 mars.
Burime zyrtare të Bashkimit Europian kanë konfirmuar për ABC, se ambasadorët e përrhershëm të Bashkimit Europian i kanë kërkuar Komisionit Europian të japë opinionin mbi aplikimin e Ukrainës. Kjo do të thotë që tashmë Komisioni Europian duhet të shqyrtojë aplikimin e Ukrainës dhe të japë opnionin e tij (avis) për përgatitjen e vendit lidhur me dhënien e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.
“Kalimi i dosjes midis dy institucioneve është bërë në një kohë rekord krahasuar me aplikimet e mëparëshme. Nga eksperienca e deritanishme, në terma proceduriale, kalimi i dosjes së aplikimit të një vendi për anëtarësim në BE nga Këshilli i BE-së te Komisioni Europian merr midis 7 dhe 9 muajsh”, janë shprehur këto burime, duke ju referuar aplikimeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë, për Ukrainën nga momenti i mbërritjes së aplikimit në tryezën e ambasadorëve të përhershëm të BE-së deri në transferimin e dosjes te Komisioni Europian mori vetëm një javë.
Nga ana tjetër, zyrtarë të BE-së kanë shpjeguar, se e njëjtja kërkesë i është dërguar Komisionit Europian për të shqyrtuar aplikimin e Moldavisë dhe Gjeorgjisë. Do të jenë liderët europianë që do japin orientimet, se si Komisioni Europian duhet t’i shqyrtojë këto kandidatura. Kjo përfshin ndryshimin e mundshëm të procedurës së dhënies së opinionit nga Komisioni Europian, duke përshtatur pyetsorin për një vend që është në luftë, si Ukraina dhe ndoshta edhe kondesimin e sasisë së pyetjeve të pyetsorit.
Aplikimi i 3 vendeve do shqyrtohet veç e veç dhe në bazë të meritës
Burime zyrtare të BE-së shprehen, se kemi të bëjmë me një përshpejtim të pahasur më parë për proçedurat e shqyrtimit të aplikimit të një vendi për anëtarësim në BE. Arsyet janë politike nisur nga agresioni rus në Ukrainë, si një sinjal i mbështetjes morale të Bashkimit Europian për aspiratat e popullit ukrainas për të qenë pjesë e familjes europiane.
Po këto burime shpjegojnë se aplikimet e tre vendeve do të shqyrtohen veç e veç në bazë tê meritês si për të gjitha vendet e tjera në procesin e zgjerimit, ku përfshihen dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Liderët e Bashkimit Europian në Versaille priten të diskutojnë edhe për natyrën e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, që imponohet nga çdo valë e zgjerimit të BE-së. Sipas burimeve diplomatike, në tryezë janë edhe disa opsione të tjera, duke qenë se jo të gjitha vendet e BE-së dakortësohen mbi anëtarësimin e këtyre tre vendeve në BE.
Ndërkohë, vendimi merret me unanimitet. Sipas vendeve që janë skeptike ose realiste për procesin e zgjerimit, të tre aplikantëve të rinj mund t’u ofrohet edhe një perspektivë e ashtuquajtur “Asociacioni plus me BE-në” duke i afruar këto vende më shumë me Bashkimit Europian në kuadrin e partneritetit të Lindjes, por jo domosdoshmërisht për t’ju ofruar një perspektivë anëtarësimi në BE.
Mund të rigjenerohet momentumi për Ballkanin Perëndimor
Burimet zyrtare të BE-së kanë bërë të ditur, se nuk përjashtohet fakti që përshpejtimi i procedurës së shqyrtimit të kandidaturês së Ukrainês, Moldavisë dhe Gjeorgjisë të sjellë një rigjenerim të procesit të zgjerimit me Ballkanin Perëndimor.
Thënë ndryshe, konteksti i luftës që kërcënon të gjithë kontinentin europian si rrjedhim i agresionit rus në Ukrainë, mund të sjellë një momentum të ri për të zgjidhur shpejt çështje bilaterale si ato të historisë, identitetit dhe gjuhës midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, që mbajnë peng hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë dhe Shqipërisë në BE.
Kjo kalon përmes aprovimit të kuadrit negociues për të dyja vendet që nuk është aprovuar ende. Burimet në fjalë kanë shpresën që kjo mund të ndodhë shpejt. /abcnews.al