Ditën që Kosova do të heqë taksën e vendosur ndaj produkteve serbe, do të caktohet dhe takimi i radhës për vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Ishte kjo deklarata e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini përsëriti nga selia e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku ndodhej për një seancë raportimi përpara Këshillit të Sigurimit, apelin që Kosova të heqë taksën 100% ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.
Gjatë fjalës së saj ajo falenderoi të pranishmit për qëndrimin konstruktiv të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit ndaj dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Më tej ajo theksoi se për rifillimin e plotë të bisedimeve, tarifat e vendosura nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe duhet hequr. Ditën kur kjo do të ndodhë – vazhdoi ajo – do të caktoj menjëherë një takim të ri për dialogun, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme, e cila do të adresojë të gjitha çështjet e jashtëzakonshme dhe do të sjellin normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Mogherini tha se është në dorën e palës serbe dhe asaj kosovare gjetja e një marrëveshjeje që do të ishte e pranueshme dhe e përshtatshme për të dyja palët. Njëkohësisht, marrëveshja përfundimtare duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe duhet të ketë mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shtoi ajo.
Mogherini përfundoi duke thënë se nëse do të kishte një marrëveshje përfundimtare nga dialogu Prishtinë-Beograd, kjo do t’i jepte edhe më shumë shpresa rajonit të Ballkanit, i cili do të ishte një model frymëzimi për Europën dhe botën./abcnews.al