Venezuelë, qeveria heton liderin e opozitës për sabotazh

schedule22:10 - 12 Mars, 2019

schedule 22:10 - 12 Mars, 2019

Drejtësia në Venezuelë, besnike e presidentit Nikolas Maduro, ka nisur një hetim për sabotazh ndaj liderit të opozitës, të cilit i atribuon përgjegjësinë për ndërprerjen e gjatë të energjisë elektrike në vend.

Autoritetet në Venezuelë kanë nisur një hetim ndaj liderit të opozitës, Huan Guaido, të cilin e akuzojnë për ndërprerjen e energjisë elektrike që ka përfshirë vendin. Pjesa dërrmuese e Venezuelës është pa elektricitet që prej së enjtes së kaluar. Presidenti Nikolas Maduro ka deklaruar se për sabotimin e sistemit elektrik u përdor teknologji amerikane dhe për këtë ka fajësuar opozitën. Nga ana e tij Guaido është mbrojtur duke deklaruar se situata është pasojë e keqmenaxhimit qeveritar.

Njoftimi për hetimin e Guaido erdhi pak orë pasi presidenti Maduro kishte deklaruar se “ora e drejtësisë kishte ardhur” dhe se “drejtësia e Venezuelës do të ndjekë nga pas të gjithë personat e përfshirë në këtë akt kriminal”. Lëvizja vjen gjithashtu në një moment tensionesh të larta në vend, me dy liderët që pretendojnë legjitimitetin për të qeverisur vendin. Gjithçka nisi më 23 janar, kur Guaido u vetë-shpall president i përkohshëm me argumentin se zgjedhjet që kthyen në pushtet Maduron nuk ishin të lira dhe të ndershme.

Pak pas kësaj lëvizjeje, asetet e tij u ngrinë nga Gjykata Supreme, që drejtohet nga besnikët e regjimit, të cilët gjithashtu i mohuan kreut të opozitës të drejtën për të udhëtuar. Por lideri 35-vjeçar e sfidoi ndalimin muajin e kaluar kur zhvilloi një tur në vendet e Amerikës Latine për të siguruar mbështetje. Ai pritej të arrestohej në momentin që u kthye në Karakas më 4 mars, por u prit ngrohtë nga oficerët e aeroportit dhe diplomatët e huaj të akredituar në kryeqytetin venezuelian./abcnews.al