Partizani do të vihet përballë Tiranës kryesuese për të zhvilluar mes tyre derbin e kryeqytetit në “Air Albania” aty ku vëmendja do të jetë e gjitha në orën 19:45, takim i vlefshëm për javën e 24-të të kampionatit shqiptarë.
Një sfidë ku spektaklin e ka të garantuar me dy skuadrat që kërkojnë të vendosin edhe diktatin e tyre në këtë takim, që pritet të dhurojë emocione të forta ashtu siç jemi mësuar të shikojmë edhe vitet e fundit, një derbi që vlen më shumë se 3 pikë.
Në derbi nuk ka si të mungojë as spektakli i tifogrupeve të skuadrave kryeqytetase, dhe kur jemi tek tifozët, ata të demave kanë një mesazh për të gjithë mbështetësit e të kuqve.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale tifogrupi më i madh i Partizanit “Ultras Guerils” u bëjnë thirrje të gjithëve tifozëve të nxitojnë të blejnë biletë pasi kanë mbetur shumë pak në dispozicion
Sipas asaj që shkruhet, grumbullimi i tifozëve do të fillojë prej orës 16:30, ndërsa nisja drejt stadiumit në orën 17:00.
“Biletat në sektorin tonë janë drejt përfundimit, nxitoni të pajiseni me biletë. Gjithashtu ju ftojmë të bashkoheni në marrshimin tradicional drejt stadiumit duke i dhënë së bashku jetë rrugëve të qytetit. Kësaj radhe do të jetë i veçantë, prandaj duhet të jemi sa më shumë.
Grumbullimi zyrtar fillon prej orës 16:30, dhe nisja drejt stadiumit bëhet ne orën 17:00. Mos harroni, të gjithë me shalla! Duke kënduar ata po marrshojnë ”, shkruhet në postim.
/f.a/abcnews.al