Gazetari Artan Hoxha foli në “Abc Live” me moderatoren Sibora Bitri për konfliktin Rusi-Ukrainën dhe ndikimin që ai ka në aktivitetin e grupeve kriminale. Hoxha u shpreh se mafia ruse dhe ukrainase janë dy aktorë të rëndësishëm pasi kanë njerëz, kapacitete dhe armatime që mund të përdoren si nga pushtuesi ashtu edhe pala mbrojtëse.
“Çdo konflikt në vetvete është problematik. Në afat të shkurtër dhe afat të gjatë. Kemi një konflikt që zhvillohet mes federatës ruse dhe Ukrainës. Edhe Ukraina është një vend shumë më i madh. Është vendi më i madh i Europës. Vetë Moska është një qytet gjigand. Ka diferenca të jashtëzakonshme nga qytetet europiane. Në nivel global mafia ruse dhe ukrainase janë dy aktorë të rëndësishëm. Ato kanë kapacitete, njerëz, armatim. Mund të përdoren edhe nga pushtuesi, edhe nga palët mbrojtëse”, tha Hoxha.
Ai komentoi edhe deklaratën e presidentit ukrainas për të liruar nga burgu të gjithë të burgosurit me aftësi ushtarake.
“Zelensky deklaroi se të burgosurit me aftësi ushtarake do të nxirren nga burg. Në situata të tilla është një moment kur bota e krimit kërkon të përfitojë. Ata kanë aksese. Korridori është i qartë. Dalja është në drejtim të Europës Perëndimore. Rusët po përpiqen të nxjerrin qytetarët ukrainas për të shmangur dëmet në civilë. Ai po përpiqet ta lërë pa mbrojtje Ukrainën. Gjithë operacionet ruse janë në formë patkoi”, u shpreh ai. /abcnews.al