Qeveria franceze u ka kërkuar qytetarëve të saj të largohen nga Rusia për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, nëse qendrimiin tyre atje nuk është i nevojshëm.
Më herët Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar këshilloi qytetarët të evitojnë çdo udhëtim drejt Rusisë. Departamenti Amerikan i Shtetit ka dhënë gjithashtu të njëjtën këshillë për qytetarët amerikanë.
Në ditën e tetë të luftës forcat ruse kanë marrë kontrollin e qytetit Kherson në jug të vendit. Është qyteti i parë i madh ukrainas që merret nga Rusia prej fillimit të luftës. Një autokolonë me mjete ushtarake ruse është parë pranë
Kievit, sipas një zyrtari amerikan të mbrojtjes. Bombardime janë regjistruar sërish në Kharkiv. Edhe qyteti port Mariupol në jug është bombarduar, dyshohet se kanë humbur jetën shumë civilë.
Megjithatë, ushtria e Ukrainës pretendon se qyteti mbetet ende në duart e tyre. Për herë të parë Moska pranon humbje të mëdha nga lufta me Ukrainën.
Kremlini thotë se 498 ushtarë janë vrarë dhe 1597 të tjerë janë plagosur. Ndërsa Presidenti ukrainas Zelensky pretendon se ky numër është shumë më i madh, rreth 9000 rusë të vrarë në një javë. Sakaq sot pritet takimi i dytë i delegacioneve ruse dhe ukrainase.
/abcnews.al/