Ekonomia ruse po merr “goditje serioze”, pranoi Kremlini të mërkurën, pasi izolimi në rritje i vendit grumbullon presione të mëtejshme mbi sistemin e tij të lëkundur financiar, raporton CNN.
Apple (AAPL), ExxonMobil (XOM), Ford (F), Boeing (BA) dhe Airbus (EADSF) iu bashkuan listës së kompanive që mbyllën ose pezulluan aktivitetin e tyre në Rusi në përgjigje të pushtimit të Ukrainës, përcjell Gazeta Express.
“Por ka një kufi sigurie, ka potencial, ka disa plane, po punohet”, tha Peskov duke iu përgjigjej një pyetjeje në lidhje deklaratën e presidentit amerikan Joe Biden në fjalimin e tij se ekonomia ruse po goditet rëndë.
Sberbank (SBRCY), huadhënësi më i madh i Rusisë, tha të mërkurën se do të largohej nga Europa, me përjashtim të Zvicrës, pasi rregullatorët bankarë në Austri detyruan mbylljen e degës së saj të BE-së me bazë në Vjenë. Banka Qendrore Evropiane ka paralajmëruar në fillim të kësaj jave se Sberbank Europe ka të ngjarë të dështojë pasi depozituesit nxituan t’i tërhiqnin paratë e tyre pas vendosjes së sanksioneve perëndimore ndaj huadhënësit dhe pjesës më të madhe të sistemit financiar të Rusisë.
Sberbank tha se filialet e saj janë përballur me “një rrjedhje të jashtëzakonshme fondesh dhe një sërë shqetësimesh sigurie në lidhje me punonjësit dhe zyrat e saj”, thanë në një deklaratë.
Sanksionet bankare janë pjesë e një pakete më të gjerë masash që Perëndimi i ka marrë, në shkallë të paprecedentë kundër një ekonomie me rëndësi të Rusisë.
Franca vlerëson se 1 trilion dollarë asete ruse janë ngrirë, duke përfshirë rreth gjysmën e rezervave të luftës të qeverisë ruse.
Moska është përgjigjur me një sërë masash emergjente që synojnë parandalimin e krizës financiare, ndalimin e rrjedhës së parave jashtë vendit dhe ruajtjen e rezervave të saj valutore.
Tregu rus i aksioneve u mbyll të hënën dhe nuk është rihapur që atëherë. Banka qendrore tha se do të qëndrojë e mbyllur të mërkurën. Qeveria ka urdhëruar eksportuesit të shkëmbejnë 80% të të ardhurave të tyre në valutë të huaj për rubla dhe i ka ndaluar rezidentët rusë të bëjnë transfere bankare jashtë vendit.