Australia thotë se do të financojë furnizimin me armë për Ukrainën për ta ndihmuar atë të luftojë forcat ruse. Masa vjen disa ditë pasi qeveria në Canberra tha se do të siguronte vetëm pajisje ushtarake “jo vdekjeprurëse”.
Kryeministri Scott Morrison u bashkua me ukrainas-australianët në një shërbesë kishtare në Sydney të dielën në mëngjes përpara se të shpallte vendimin raporton “BBC”. “Qeveria australiane do të vazhdojë të mbrojë atë që është e drejtë kur bëhet fjalë për Ukrainën,” tha ai. “Ne do të kërkojmë të ofrojmë çdo mbështetje që mundemi për ndihmë vdekjeprurëse përmes partnerëve tanë të NATO-s, veçanërisht Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar”.
Kryeministri Morrison shtoi se përpunimi i shpejtë i aplikantëve për viza nga Ukraina do të ishte një “prioritet kryesor” për të në vazhdim. Kontributi i Australisë i shtohet sasive të konsiderueshme të armatimit dhe municionit që tashmë i furnizohen Ukrainës nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e tjerë të NATO-s. Gjermania, në një lëvizje të rëndësishme, dje përmbysi një qëndrim të mbajtur prej kohësh për të mos dhënë ndihma vdekjeprurëse. / abcnews.al