Një video-mesazh i ri i postuar në rrjetet sociale iu dërgua popullit ukrainas nga presidenti Volodymyr Zelensky. Duke u paraqitur jashtë pallatit presidencial, ai tha “ne jemi këtu, jemi në Kiev, ne po mbrojmë Ukrainën”. Zelensky kishte rreth vetes edhe zyrtarë qeveritarë, duke i treguar popullit të Ukrainës se nuk iku, siç ishte përfolur nga mediet ruse, dhe nga ana tjetër ai është atje duke luftuar për të shpëtuar vendin nga pushtimi rus.
Luftimet po zhvillohen në qytetin e Kievit midis ushtrisë pushtuese ruse dhe ushtarëve ukrainas në pozicion mbrojtjeje për të ndalur forcat armike. Që nga mëngjesi, ushtria ruse ka pushtuar periferitë e kryeqytetit ukrainas dhe po përparon drejt qendrës së qytetit, duke synuar të pushtojë ndërtesat qeveritare dhe të rrëzojë qeverinë e Volodymyr Zelensky.
Fotot në mediat sociale dhe agjencitë ndërkombëtare tregojnë ushtarët ukrainas të rreshtuar në një pozicion mbrojtës në pikat kyçe të hyrjes në qendër të Kievit, me raportime për viktima nga të dyja anët, me civilë që dërgohen në strehimore dhe në stacionet e metrosë nëntokësore, në mënyrë që të jenë të sigurt.
Luftimet shpërthyen në Obolon, në periferi të qytetit, në orët e para të mëngjesit, teksa Ministria e Mbrojtjes u tha banorëve të bënin gati armët për të “zmbrapsur pushtuesit”. Pushkët iu shpërndanë gjithashtu qytetarëve pasi Presidenti Zelensky i kërkoi çdo evropiani që dëshiron të mbrojë vendin të udhëtojë në Ukrainë dhe t’i bashkohet mbrojtjes.
Trupat ruse besohet se kanë mbërritur nga veriperëndimi pasi u zmbrapsën nga Çernobili, i cili u kap dje vonë.
Ndërkohë, forcat ruse po rrethojnë kryeqytetin ukrainas nga dy pika. Forcat ruse sulmuan nga dy anët Ukrainën, nga veriu dhe nga ana verilindore e Kievit.
/abcnews.al