Këshilli i Ambasadorve Shqiptarë dënon me forcë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës. Përmes një deklarate, KASH ka thënë se ky sulm kërcënon jetët e miliona civilëve dhe përbën rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë europiane.
Ndiq LIVE zhvillimet më të fundit mbi luftën në Ukrainë
Sipas Këshillit të Ambasadorve Shqiptarë, Rusia duhet të ndalojë këtë agresion ushtarak dhe t’i rikthehet rrugës së diplomacisë e dialogut.
Sakaq, ata kanë theksuar se KASH qëndron pranë popullit të Ukrainës në këtë ditë të errët.
Deklarata e plotë e KASH:
Këshilli i Ambasadorve Shqiptarë dënon me forcë agresionin ushtarak dhe të paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës. Ky sulm kundër integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, që shkel ligjet ndërkombëtare dhe kërcënon jetët e miliona civilëve përbën rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë europiane dhe euroatlantike.
Rusia duhet të ndalojë këtë agresion ushtarak dhe t’i rikthehet rrugës së diplomacisë e dialogut.
Këshilli i Ambasadorve Shqiptarë mbështet plotësisht NATO dhe BE në përpjekjet e tyre për t’iu përgjigjur me vendosmëri dhe proporcionalitet këtij sulmi të papranueshëm.
KASH qëndron pranë popullit të Ukrainës në këtë ditë të errët./abcnews.al