Në Shqipëri, rastet e reja me Covid 19, shënuan një rënie të fortë në javën e fundit (15-21 shkurt), sikundër dhe viktimat e pacientët e shtruar në spitale. Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës tregojnë se bëhet fjalë për një tendencë që vijon që prej katër javësh. Në total janë regjistruar 1964 të infektuar, 45.7 përqind më pak se java pararendëse, ose niveli më i ulët që prej fundit të muajit dhjetor. Mesatarja ditore rezulton të jetë prej 280 rastesh në ditë.
Në 24 orët e fundit sipas Ministrisë së Shëndetësisë numri të prekurve rishtas ra në një nivel prej 85 të prekurish të shpërndarë në 23 bashku të vendit: 23 në Tiranë, 10 në Berat, 8 në Sarandë, 7 në Fier, nga 4 qytetarë në Peqin, Vlorë, Durrës, nga 3 qytetarë në Lezhë, Lushnje, Mallakastër, nga 2 qytetarë në Gramsh, Gjirokastër, Mirditë, nga 1 qytetar në Kukës, Tropojë, Kavajë, Selenicë, Delvinë, Dropull, Përmet, Këlcyrë, Pogradec, Poliçan.
Në 24 orët e fundit edhe pozitiviteti (raporti mes rasteve dhe testimeve) zbriti në nivelin e 4.8 përqind, ndërsa mesatarja e javës së shkuar ishte 12.4 përqind, ose 6.2 pikë përqindje më pak se në javën pararendëse. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet. Edhe rastet ende aktive janë tkurrur ndjeshëm duke zbritur në një total prej 3969 personash që rezultojnë të jenë të infektuar.
Në rënie, për të dytën javë me radhë, edhe numri i viktimave, ndonëse gjatë 7 ditëve të fundit, vdekjet zbritën vetëm me dy humbje jetë më pak, duke ndalur në 31 të tilla. Në 24 orët e fundit ministria e Shëndetësisë njoftoi për 7 viktima: një qytetare nga Tepelena 69 vjeçe, një qytetar nga Elbasani 72 vjeç, një qytetar nga Durrësi 80 vjeç, një qytetare nga Kavaja 81 vjeçe, një qytetar nga Vlora 85 vjeç, një qytetare nga Tirana 88 vjeçe.
Ndërkohë në spitale, numri i pacientëve ra ndjeshëm, nga 111 të shtruar më 14 shkurt në 71 të tillë të hënën, 21 shkurt, nga të cilët 14 në terapi intensive. /VOA