Venezuelë, lideri i opozitës kthehet në atdhe

schedule23:33 - 4 Mars, 2019

schedule 23:33 - 4 Mars, 2019

I sapokthyer në Venezuelë pas një turi në Amerikën Latine, lideri i opozitës Huan Guaido ka deklaruar se nuk i trembet arrestimit nga regjimi Maduro dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestat kundër presidentit në ditët e ardhshme.

Lideri i vetëshpallur i Venezuelës, Huan Guaido mbërriti të hënën në aeroportin e Karakasit, pavarësisht rrezikut për të përfunduar në pranga nga forcat e sigurisë të regjimit të Nikolas Maduro. Guaido është pritur nga diplomatë të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Bashkimit Europian, si dhe nga një turmë mbështetësish që brohorisnin emrin e tij.

“Ne e dimë rrezikun me të cilin përballemi, por jemi të fortë dhe do të vazhdojmë betejën tonë”, deklaroi Guaido përpara mbështetësve. Lideri i opozitës sfidoi ndalimin e udhëtimit që i ishte imponuar nga Gjykata Supreme e Venezuelës muajin e kaluar, kur ai u largua nga vendi. I sapokthyer, ai i bëri thirrje presidentit Maduro që të japë dorëheqjen.

Dy liderët vazhdojnë rivalitetin mes tyre prej më shumë se një muaji. Ndërsa Guaido është njohur si president legjitim i përkohshëm nga më shumë se 50 vende, Maduro mbështetet nga Kina, Rusia dhe Kuba dhe insiston se është ai kreu legjitim i shtetit. Guaido ishte larguar nga Venezuela për të bërë një tur në vendet e Amerikës Latine, disa prej të cilave e mbështesin dhe të tjera jo. Ai u bëri thirrje qytetarëve venezuelianë që t’u bashkohen protestave anti-qeveritare të planifikuara në ditët e ardhshme./abcnews.al