Në nisje të fushatës elektorale për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, presidenti Ilir Meta ka përcjellë një mesazh. Duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të lira, Meta apelon të qëndrohet larg retorikës, tensioneve dhe fenomeneve të papranueshme.
“Fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit në Bashkitë Shkodër, Durrës, Lushnjë, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë, që nis sot, është një mundësi e shkëlqyer për subjektet garuese dhe kandidatët e tyre për të parashtruar programe konkrete zhvillimi dhe gjithë përfshirjeje në përputhje me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve.
Duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të ndershme, të një fushate në mbështetje të Kodit Elektoral, ligjeve dhe Kushtetutës, të drejtë, transparente, larg retorikës, tensioneve dhe fenomeneve të papranueshme që kemi parë në të kaluarën, i inkurajoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote, në të gjashta njësitë vendore, të marrin pjesë masive në zgjedhje. Nuk duhet humbur mundësia për çdo qytetar të tregojë forcën dhe vullnetin e tij për të zgjedhur kandidatin apo kandidaten më të mirë që do të drejtojë bashkinë e tyre në të ardhmen. Vota është forca e vetme dhe e vërtetë e qytetarit në demokraci”.
/abcnews.al