Visar Kryeziu është bërë i njohur me artin e veçantë. Artisti që jeton prej vitesh në Zvicër arrin të krijojë portrete të figurave historike me një vijë. Për “Abc-ja e mëngjesit”, Visari tha se këto punime i krijon në mënyrë dixhitale ndërsa shtoi se është shumë e vështirë që të tregojë portretin thjesht me një vijë.
“Bëj figura historike që na kanë frymëzuar gjithë jetën. Jemi rritur me to dhe dua që fëmijët të mësohen, të njohin figurat historike kombëtare. Ky art mungon, sidomos me figurat tona kombëtare. Kur bëra portretin e Skënderbeut, e publikova në rrjete sociale dhe u prit shumë mirë.
Kështu vazhdova të bëj portrete të tjera. Më kanë kërkuar që të bëj dhe vizatime të politikanëve të gjallë. Por dua që të krijoj për ata që janë një histori të ndritshme për kombin shqiptar.”, tha ai. Ndër të tjera, Visari shtoi se shumë njerëz kërkojnë që këto portrete t’i bëjnë tatuazhe.
/abcnews.al


