Dy burra në Britani që u paraqitën si Apple, Netflix dhe Spotify në miliona email për të vjedhur të dhëna, janë deklaruar fajtorë për shitjen e tyre për kriptomonedhë me vlerë 140,000 paund. Gary Kelly, 32 vjeç dhe Craig Gorton, 30 vjeç, vodhën informacione në lidhje me të paktën 64,000 karta krediti dhe 24,000 Apple ID përmes një sërë fushatash mashtrimi. Dyshja pranuan se i shitën të dhënat në Gjykatën e Kurorës në Liverpul ditën e hënë.
Kelly u burgos për 40 muaj, ndërsa Gorton u dënua dy vjet me kusht. Gortonit i’u dha gjithashtu një kërkesë për aktivitet rehabilitimi 20 ditor dhe u urdhërua të kryente 100 orë punë të papaguar raporton “BBC”. Një zëdhënës i Njësisë Rajonale të Krimit të Organizuar Veriperëndimor tha se dy burrat u kapën pasi oficerët u njoftuan për “phishing”, një proces ku një mashtrues paraqitet si një kompani me reputacion në një përpjekje për të marrë detajet bankare ose fjalëkalime.
Ai tha se detektivët nga Ekipi i Operacioneve të Uebit të Errët të Njësisë Rajonale të Krimit të Organizuar Veriperëndimor kontrolluan adresat e shtëpive të tyre në korrik dhe dhjetor 2019. Disa pajisje u sekuestruan dhe u zbulua se përmbanin baza të të dhënave të klientëve të vjedhur. Ai tha se Kelly dhe Gorton ishin përgjegjës për një numër fushatash që përfshinin “dërgimin e miliona emaileve njerëzve që portretizoheshin se ishin nga Apple, Netflix dhe Spotify”.
“Pasi viktimat jepnin detajet e tyre personale dhe financiare, dyshja shiste informacionin e tyre në një faqe interneti,” shtoi ai. Duke folur pas dënimit, inspektori detektiv i Njësisë Rajonale të Krimit të Organizuar Veriperëndimor, Chris McClellan i kërkoi kujtdo që besonte se kishte qenë viktimë e mashtrimit ta raportonte atë dhe të merrte “disa hapa të thjeshtë për të mbrojtur të dhënat personale dhe financiare”, si ndryshimi i fjalëkalimeve dhe aplikimi i kriptimit shtesë. / abcnews.al